“Kriza” e Mike Maignan te Milani, në radar shfaqet klubi i Ronaldos/ Portieri mund të largohet drejt Arabisë Saudite

11/08/2026 21:44

E ardhmja e Mike Maignan te Milani është kthyer në pikëpyetje.

Vera e portierit francez ka qenë e mbushur me zhvillime, ndërsa raportet mes tij dhe klubit kuqezi duket se nuk janë më aq të mira sa në të kaluarën.

Maignan ka mbajtur një profil të ulët gjatë verës, madje ka fshirë pothuajse të gjitha gjurmët e futbollit nga rrjetet e tij sociale. Ndërkohë, emri i tij ka nisur të qarkullojë gjithnjë e më shumë në merkato.

Portieri dhe kapiteni i Milanit nuk e ka pritur mirë largimin e trajnerit Max Allegri, drejtuesit Igli Tare dhe trajnerit të portierëve Claudio Filippi, me të cilin kishte krijuar një marrëdhënie të veçantë.

Pavarësisht se Maignan rinovoi kontratën me Milanin në fund të janarit, duke u lidhur me klubin deri në vitin 2031, tashmë po mendohet seriozisht për një largim të mundshëm.

Francezi përfiton rreth 7 milionë euro në sezon, përfshirë bonuset, një pagë që e rendit ndër lojtarët më të paguar të skuadrës.

Milani nuk dëshiron të humbasë një nga portierët më të mirë në Evropë, por situata mund të ndryshojë nëse Maignan shfaq hapur dëshirën për t’u larguar.

Sipas raportimeve nga Italia, një nga destinacionet e mundshme mund të jetë Arabia Saudite.

Al Nassr, skuadra e Cristiano Ronaldos, po kërkon një portier të ri për të përforcuar këtë pozicion dhe emri i Maignan ka përfunduar në listën e kandidatëve.

Mbetet për t’u parë nëse portieri francez do të ishte i gatshëm të transferohej në Saudi Pro League. Në Evropë, pak klube do të mund t’i ofronin një kontratë dukshëm më të favorshme se ajo që ka aktualisht te Milani.

Drejtuesit e Milanit duan fillimisht të sqarojnë situatën përmes një takimi kokë më kokë me Maignan.

Klubi është i bindur se, nëse qëndron në Milano, francezi do të vazhdojë të sillet në mënyrë profesionale dhe të mbrojë fanellën kuqezi, si dhe të mbajë shiritin e kapitenit.

Megjithatë, në klub ekziston edhe një tjetër këndvështrim: mbajtja e një lojtari të pakënaqur, i cili ka një nga pagat më të larta të skuadrës, mund të kthehet në një problem.

Milani është i gatshëm ta mbajë Maignan, por dëshiron që marrëdhënia të jetë e ndërsjellë. Nëse francezi kërkon largimin dhe vjen një ofertë bindëse, klubi mund të shqyrtojë shitjen.

Dhe Al Nassr mund të jetë klubi i parë që troket në derën e Milanit për kapitenin francez.

Top Channel