Duhet të lexoni shumë nëse dëshironi të bëheni shkrimtar të mirë Shkrimtarët që me veprat e tyre kapërcyen kufijtë edhe kur vendi ishte i izoluar vijojnë të tërheqin interesin e lexuesve të huaj.
Jemi në shtëpinë muze Agolli – Kadare që është shndërruar në atraksion për turistët. Të dyja shtëpitë muze kanë mirëpritur mbi pesë mijë vizitorë në gjashtë muajt e parë të vitit, ndërsa gjatë verës është rritur numri i të huajve, që duke zgjedhur turizmin kulturor, kanë future në listë këtë institucion.
Francezët qëndrojnë në krye të listës së vizitorëve. Ata jo vetëm e njohin Kadarenë, por kanë lexuar veprën e tij dhe shprehin interes për të parë vendin ku shkrimtari ka jetuar dhe punuar.
Turistët shprehen:
“Kadareja është një shkrimtar jashtëzakonisht i njohur në Francë. Që kur isha i ri, lexoja Kadarenë dhe të shoh shtëpinë ku ai ka jetuar, është magjepsëse. Më pëlqen “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe pas kësaj vizite kam dëshirë ta rilexoj”.
“Jetoj në periferi të Parisit dhe kam vendosur ta vizitoj këtë muze në Tiranë sepse e dua shumë Ismail Kadarenë. Për mua, Kadareja është imazhi i diçkaje shumë misterioze… është një lloj fantazie që e kanë edhe shkrimtarë të tjerë, por mendoj se arti i Kadaresë qëndron në faktin se ai arrin të depërtojë shumë thellë përmes shkrimeve të tij. I dua të gjithë librat e tij, por më shumë në mendje më ka mbetur “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që kur u përkthye në 1970 pati një sukses të madh”.
“E njoh Kadarenë por doja të dija më shumë për jetën e tij, më ka interesuar marrëdhënia e shkrimtarit me Enver Hoxhën, sepse pasi vizitova Shtëpinë e Gjetheve, për mua është një mister se si me gjithë këtë mbikëqyrje, ai mundi të mbijetonte dhe të kishte një marrëdhënie të mirë me diktatorin”.
Për adhuruesit e letërsisë, kjo vizitë pasi u krijon një lidhje më të drejtpërdrejtë me autorin dhe krijimtarinë e tij, ndërsa vlerësojnë autenticitetin e banesës ku janë ruajtur të gjitha objektet origjinale.
“Është hera e parë që vizitojmë Shqipërinë dhe për ne është shumë e rëndësishme të njohim jo vetëm vendin, peizazhin, por edhe kulturën dhe letërsinë e vendit që vizitojmë. Dje kam filluar të lexoj “Pallatin e Ëndrrave’”.
“Na ka befasuar shumë fakti që kishte dy hapësira me bibliotekë: hapësira sekrete ku ndodhemi tani, në dhomën e punës, dhe hapësira më publike, ku ai mund të priste njerëz pa pasur rrezik të tregonte librat që lexonte apo ndikimet që kishte nga shkrimtarë të tjerë të vendeve të tjera. Është interesante të shohësh se si një mendje e lirë mund të mbijetojë në një vend të mbyllur”.
Studiot Agolli Kadare gjithnjë e më shumë po përfshihen në guidat turistike, ndikuar edhe nga interesi i turistëve, ndërkohë që brenda vitit muzeu pritet të ofrojnë dhe audio guidë për vizitorët në gjashtë gjuhë të ndryshme.
Top Channel