Siguria e Ibrit, jo më nga KFOR, misioni i NATO nis tërheqjen, përgjegjësia për sigurinë e urës i kalon Policisë së Kosovës

10/08/2026 20:02

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka nisur tranzicionin gradual të sigurisë mbi urën kryesore të Ibrit. 27 vjet pas luftës, për herë të parë Policia e Kosovës do të mbajë përgjegjësinë për sigurinë mbi urën që ndan qytetin e Mitrovicës.

Sipas njoftimit të KFOR-it, tranzicioni vjen “në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”.

Misioni i NATO-s njoftoi se kalimi i përgjegjësisë së sigurisë mbi urën e lumit Ibër do të jetë proces gradual “në varësi të kushteve dhe do të koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë”.

Megjithëkëtë, KFOR-i do të jetë i pranishëm në jug e veri të Mitrovicës.

“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe në veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”, thuhet në njoftim.

Zhvendosjen e trupave të KFOR-it nga ura e Ibrit e kanë kundërshtuar Lista Serbe, që thanë se “çdo vendim për praninë e forcave të sigurisë aty duhet të merret me kujdes”, për shkak të tensioneve të vazhdueshme që kanë zënë vend mbi urë në të kaluarën. Që nga viti 1999, misioni i KFOR-it kujdeset për sigurinë mbi urën kryesore mbi lumin Ibër.

Top Channel