Argumentet e Ukrainës kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës variojnë nga fakti se Rusia mund ta përdorë atë si precedent për pushtimin e territoreve të vendit fqinj, te mbështetja e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës dhe, deri diku, dhe municionet serbe që përfundojnë në këtë vend.
Por në fund, nga sa sqaron për REL kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko, vendimi për këtë cështje i takon presidentit Volodymyr Zelensky.
“Në Ukrainë ka qëndrime të ndryshme për këtë çështje.., megjithatë vendimi për njohjen ose mosnjohjen e Kosovës i takon presidentit. Është prerogativë e tij. Ekzistojnë disa argumente kundër njohjes. I pari është se një vendim i tillë mund t’i jepte, në njëfarë mënyre, një argument Rusisë, e cila mban të pushtuar në mënyrë të paligjshme Krimenë dhe pjesë të rajoneve të tjera të Ukrainës. Argumenti i dytë është se, meqë Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, edhe Ukraina duhet të mbështesë integritetin territorial të Serbisë. Argumenti i tretë lidhet me faktin se Serbia u shet municion vendeve të tjera, i cili më pas përfundon në Ukrainë dhe i nevojitet asaj”, thotë Merezhko.
Sipas tij, megjithatë, kjo çështje mund të rikthehet në agjendën politike të Kievit, pas përfundimit të luftës, teksa u shpreh se personalisht mbetet skeptic ndaj secilit prej këtyre argumenteve. Merezhko është deputet i partisë Shërbëtori i Popullit, forca politike e lidhur me presidentin ukrainas, Zelensky.
Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky tha se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës, dhe deklaroi se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare, cka ngjalli reagime të menjëhershme si në Prishtinë, ashtu edhe në Kiev.
Më heret, deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko e kritikoi presidentin Zelensky për qëndrimin ndaj Kosovës gjatë vizitës në Beograd. Ai e cilësoi si gabim diplomatik refuzimin e Kievit për të ndryshuar politikën zyrtare. Goncharenko deklaroi se ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe se do të vazhdojë përpjekjet për njohjen e saj.
Top Channel