Rashford drejt Barcelonës? Një transferim te PSG mund të ndryshojë gjithçka për sulmuesin e Manchester United

09/08/2026 19:04

Marcus Rashford mund të ketë një mundësi të re për t’iu bashkuar Barcelonës, falë një lëvizjeje të papritur në merkato që mund të shkaktojë një efekt domino.

Klubi katalanas vijon të jetë i interesuar për sulmuesin e Manchester United, edhe pse në javët e fundit mundësitë për realizimin e transferimit dukeshin se ishin zbehur ndjeshëm.

Situata mund të ndryshojë nëse Ferran Torres përfundon transferimin e tij të propozuar te Paris Saint-Germain. Klubi francez pritet të bëjë ofertë zyrtare javën e ardhshme, pasi ka arritur tashmë marrëveshje për kushtet personale me futbollistin spanjoll.

Largimi i Torres nga Barcelona do të krijonte hapësirë në repartin ofensiv dhe mund t’i hapte sërish derën Rashfordit për një transferim te katalanasit.

Aktualisht, sulmuesi anglez duket më pranë qëndrimit në Old Trafford, por një largim i Torres mund të ndryshojë tërësisht situatën.

Nëse transferimi i spanjollit te PSG realizohet, Barcelona mund të rikthejë në tryezë opsionin Rashford, duke i dhënë një tjetër kthesë një prej historive më të përfolura të merkatos.

Top Channel