Kulmi i sezonit veror/ Fluks i lartë në Portin e Vlorës, rreth 2700 pasagjerë mbërrijnë nga Brindisi

09/08/2026 09:21
Foto Ilustruese

Fluksi i udhëtarëve vijon të jetë i lartë në Portin e Vlorës, në këtë periudhë të sezonit turistik.

Këtë të diel rreth 2700 pasagjerë pritet të mbërrijnë gjatë ditës me tre tragetet e linjës Brindisi-Vlorë.

Dy prej trageteve kanë mbërritur në orët e para të mëngjesit, duke sjellë në Vlorë rreth 1980 pasagjerë, ndërsa trageti i tretë, i cili pritet të mbërrijë gjatë pasdites nga Brindisi, parashikohet të ketë në bord rreth 700 pasagjerë.

Krahas udhëtarëve, në port kanë mbërritur edhe rreth 700 automjete, duke shtuar ndjeshëm fluksin në pikën e kalimit kufitar.

Për të përballuar fluksin e lartë dhe për të shmangur radhët e gjata, Policia Kufitare ka shtuar edhe sportelet e kontrollit të dokumentacionit.

Nga 8 sportele që funksionojnë gjatë gjithë vitit, numri është rritur në 12, me synimin që kontrollet e dokumenteve të pasagjerëve të kryhen sa më shpejt.

Mes udhëtarëve që kanë mbërritur në Vlorë, të shumtë janë turistët italianë. Ata shprehen se kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet, ndërsa një pjesë e tyre do të qëndrojnë në Vlorë dhe në zonat turistike të jugut.

Fluksi i lartë i pasagjerëve dhe automjeteve pritet të vijojë edhe gjatë ditëve në vazhdim, ndërsa Porti i Vlorës mbetet një nga pikat kryesore të hyrjes së turistëve që vijnë nga Italia drejt Shqipërisë.

Top Channel