Homofobi në palestrën e grave, Komisioneri: Shtetasja amerikane u diskriminua për orientimin seksual

09/08/2026 15:28

Gjatë vitit 2025, Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi ka trajtuar 12 ankesa për shtetasit e huaj.

Një prej çështjeve që është shprehur me vendim në mes të 2026 lidhet me mos lejimin e një rezidente amerikane, për shkak të orientimit seksual, të ushtrohet pranë një palestre force për femra në Tiranë. Komisioneri ka konstatuar se administratori i palestrës e ka trajtuar në mënyrë të diferencuar dhe të padrejtë ankuesen, për shkak të identitetit gjinor, duke sjellë për pasojë diskriminimin e saj.

Seanca dëgjimore me dëshmitë e palëve nxjerr në pah se përmes një mesazhi të përkthyer në telefon pronari i ka komunikuar shtetases amerikane njoftimin e përjashtimit nga palestra pas shqetësimit të klientelës së vjetër për praninë e një ‘personi gay’ në ambientet e biznesit.

Homofobia, si formë e paragjykimit të bazuar në orientimin seksual ose identitetin gjinor të një personi, nuk përbën justifikim të ligjshëm, as kur manifestohet si qëndrim personal i ofruesit të shërbimit dhe as kur buron nga presioni i klientëve të tjerë apo opinionit publik. Identiteti dhe shprehja gjinore nuk lidhen në asnjë moment me seksualitetin e dikujt, dhe se, do të duhet që në një subjekt që ofron të mira dhe shërbime për publikun e gjerë të mos jetë përkrahës i stereotipeve gjinore të supozuara nga klientët e tij”, deklaron Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi.

Arsyet e përjashtimit nga palestra, vërtetëtohen edhe përmes një video ku pronari shpjegon se vendimi për moslejimin e saj ishte marrë për shkak të frikës së humbjes së klientëve të tjerë dhe interesit ekonomik, duke deklaruar se “do të humb klientë” dhe se “money is money”. Në këto kushte, administratori, i vënë nën presionin e klienteve, i ka kërkuar asaj largimin nga palestra duke rimbursuar pagesën mujore të anëtarësisë. Ankuesja i është drejtuar komisionerit me këtë deklaratë:

Më 16 tetor, më është mohuar hyrja në palestër. Kur kërkova një shpjegim, pronari i palestrës, më tha qartë se refuzimi kishte ndodhur për shkak të orientimit tim seksual. Z. dhe T., të cilat janë rezidente ligjore dhe shtetase amerikane, u lejuan ta përdornin palestrën pa asnjë problem, gjë që tregon se refuzimi ndaj meje nuk bazohej në ndonjë rregull apo kërkesë legjitime. Jam veçuar vetëm për shkak të orientimit tim seksual, ndërkohë që të tjerët në rrethana të njëjta u lejuan të hynin”, shprehet shtetasja amerikane.

Komisioneri nisi procedurën administrative ku provoi diskriminimin e shtetases amerikane, e cila kërkonte rikthimin në palestër dhe lejen që të përdorë të gjitha pajisjet pa asnjë kufizim; trajnimin e administratorit dhe të gjithë stafit, mbi respektimin e diversitetit dhe respektimin e të drejtave të njeriut si dhe vendosjen e materialeve informuese në ambientet e palestrës, sa i përket ndalimit të diskriminimit.

Top Channel