Botërori i MotoGP/ ‘Tripletë’ e Aprilias në Silverstone, Raul Fernandez fiton garën
Basketbolli amerikan qan për Don Nelson, një prej figurave më të mëdha të tij. Trajneri legjendar i NBA u nda nga jeta në moshën 86 vjeçare, një lajm që u komunikua nga familja e tij që shpjegoi se ai ndërroi jetë në paqe dhe i rrethuar nga personat më të dashur të tij.
Don Nelson pati një karrierë të lidhur me kampionatin më spektakolar të basketbollit në botë, NBA, për 6 dekada. Si trajner, në 31 sezone, Don Nelson ka drejtuar skuadra të tilla si Milwaukee Bucks, Golden State Warriors, New York Knicks dhe Dallas Mavericks. E mbylli karrierën e tij me 1335 fitore në kampionat, shifra e dytë më e lartë në historinë e NBA dhe përpara tij është vetë, Gregg Popovich. Për më tepër, Don Nelson është zgjedhur 3 herë si Trajneri i Vitit dhe ka marrë pjesë 18 herë në fazën e playoffit të NBA edhe pse asnjëherë nuk ka mundur të arrijë në finalen e madhe të NBA në rolin e trajnerit.
Ndikimi i Don Nelson në parket ka qenë edhe në aspektin taktik, teksa arriti të zhvillojë një sistem të mbiquajtur ‘Nellie Ball’, një stil revolucionar i bazuar në quintete të vegjël me sportistë atletikë, shpejtësi dhe te kërkimi konstant i disavantazheve taktike. Një filozofi që ishte përpara për kohën dhe që ndikoi në evoluimin e basketbollit modern.
Përpara se të bëhej trajner, Don Nelson ka qenë një basketbollist i spikatur i Boston Celtics dhe arriti të fitojë 5 tituj kampionë të NBA në 11 sezone. Skuadra e Celtics e tërhoqën fanellën e tij me numrin 19 në vitin 1978. Më pas si trajner, ai pati një rol vendimtar në rindërtimin e skuadrës seë Mavericks në periudhën kur aty erdhën Dirk Nowitzki dhe Steve Nash, dy lojtarë që më pas hynë në Hall of Fame. Anëtar i Naismith Memorial Basketball Hall of Fame në Sallën e Famës të NBA, Don Nelson drejtoi edhe kombëtaren amerikane të basketbollit në fitoren e medaljes së artë në Botërorin e Basketbollit të vitit 1994 dhe në dy raste ka qenë trajner në All Star Game. Pasi u tërhoq edhe nga profesioni i trajnerit, Don Nelson u transferua në Maui ku kultivoi lule, kafe dhe cannabis dhe pas zjarreve shkatërrimtare të 2023 ai i dha pronat e tij te familjet që humbën shtëpitë e tyre. Personaliteti, karakteri i tij inovator dhe mënyra sesi e kuptonte basketbollin kanë lënë një gjurmë të fortë dhe të pashlyeshme në NBA.
Top Channel