Pas një periudhe sëmundjeje, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare në një klinikë në Torino, kampioni olimpik i 200 metrave në Lojërat e Romës në vitin 1960, Livio Berruti.

Ai lë pas bashkëshorten e tij, Silvia, ndërsa ceremonia mortore pritet të zhvillohet në formë private. Pas karrierës sportive, Berruti punoi në botën e komunikimit. Në vitin 2006, ai ishte një nga tetë italianët që mbajtën flamurin olimpik në ceremoninë përmbyllëse të Lojërave Dimërore të Torinos, qytetit të tij të lindjes.

Nga ëndrra për tenisin te lavdia në atletikë

I lindur në Torino më 19 maj 1939, Berruti u njoh me atletikën në vitin 1955 në gjimnazin “Cavour”, duke u bërë më i shpejti i shkollës. Siç kujton Federata Italiane e Atletikës (FIDAL) në biografinë e tij, ai shpresonte të praktikonte sportin e tij të dashur, tenisin, duke frekuentuar qendrën sportive Lancia, por rezultatet e arritura në garat e shpejtësisë e shtynë të vazhdonte dhe të këmbëngulte me atletikën. Vetëm pak vite më vonë, ai u bë kampion olimpik, duke hyrë në histori si sprinteri i parë evropian që triumfonte në këtë disiplinë.

Dita historike në Romë

Gjithçka ndodhi më 3 shtator 1960 në Stadiumin Olimpik të Romës: në hapësirën e vetëm dy orëve ai vrapoi në gjysmëfinale me kohën 20.5 sekonda, duke barazuar rekordin botëror, dhe më pas fitoi finalen po me të njëjtën kohë, duke lënë pas amerikanin Lester Carney (20.6) dhe francezin nga Senegali, Abdou Seye (20.7). Për fitoren historike në Romë, ai u shpërblye nga CONI (Komiteti Olimpik Kombëtar Italian) me 800 mijë lireta për medaljen e artë, 400 mijë lireta për rekordin botëror, si dhe mori dhuratë një makinë “Fiat 500” nga kompania Fiat.

Top Channel