Një barakë që shërbente si magazinë është përfshirë nga flakët pasditen e kësaj të premteje në fshatin Lepurakë, Njësia Administrative Fushë-Bulqizë, Bashkia Bulqizë.

Zjarri ka qenë me përmasa të mëdha, duke rrezikuar seriozisht edhe dy banesa pranë magazinës. Fillimisht, familjarët dhe banorët e zonës kanë tentuar ta neutralizojnë zjarrin me mjete rrethanore, por për shkak të intensitetit të flakëve kanë kërkuar ndihmën e shërbimit zjarrfikës dhe Policisë.

Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në kohë në vendngjarje dhe, pas ndërhyrjes, kanë bërë të mundur izolimin e flakëve, duke shmangur përhapjen e tyre drejt dy banesave të rrezikuara.

Siç raporton korrespondenti i Top Channel Dëfrim Karaj, fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.

Policia e Bulqizës ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar nga një defekt në rrjetin elektrik, megjithatë nuk përjashtohet as mundësia e një pakujdesie njerëzore gjatë punës në ambientet e magazinës.

Top Channel