Pengesë për Interin në garën për Romeron, mbrojtësi argjentinas tani drejt transferimit në Spanjë

07/08/2026 10:20

Lajme të këqija vijnë nga Spanja për Interin në garën për transferimin e mbrojtësit argjentinas Cristian Romero.

Sipas raportimeve, Atlético Madrid po avancon me shpejtësi për të siguruar firmën e qendërmbrojtësit të Tottenham, duke marrë epërsi ndaj zikaltërve.

Klubi madrilen po punon për të finalizuar tre largime nga skuadra, të cilat do t’i krijonin hapësirën financiare të nevojshme për të investuar te Romero, objektivi kryesor i trajnerit Diego Simeone.

Atlético është pranë shitjes së Thiago Almada te River Plate për rreth 20 milionë euro. Gjithashtu, largimi i Nahuel Molina drejt Romës dhe interesimi i Aston Villa për Matteo Ruggeri pritet t’i japin klubit spanjoll mundësinë për të bërë ofertën vendimtare.

Sipas mediave italiane, Atlético është i gatshëm të ofrojë rreth 30 milionë euro për Tottenhamin, ndërsa vetë Romero thuhet se preferon një kalim në La Liga.

Nga ana tjetër, Interi mbetet i kushtëzuar nga largimet. Zikaltrit duhet të shesin fillimisht Benjamin Pavard për të krijuar fondet e nevojshme për të hyrë seriozisht në garë për mbrojtësin argjentinas, i cili është kërkuar me ngulm edhe nga trajneri Cristian Chivu.

Ndërkohë, Tottenham është i gatshëm të dëgjojë oferta, por vlerëson kartonin e 28-vjeçarit mes 40 dhe 45 milionë eurove, çka e bën garën për firmën e tij edhe më të fortë.

Top Channel