“Isha përpara mësueses sime kur u qëllua”, rrëfimi i nxënëses që i mbijetoi masakrës në Tajlandë

07/08/2026 10:24

Një nga nxënëset që i mbijetoi sulmit të armatosur në një shkollë në periferi të Bangkokut ka rrëfyer momentet e tmerrit që përjetoi, ndërsa pa mësuesen e saj të qëllohej para syve.

Isha përpara mësueses kur ajo u qëllua. Ajo po më fliste kur autori u shfaq dhe e qëlloi”, tregoi nxënësja e klasës së tetë për BBC News.

Ajo kujton se pas të shtënave nuk mund të shihte pothuajse asgjë. “Nuk shihja gjë tjetër veç një reje pluhuri. Ai ecte nga një klasë në tjetrën. Tavolina ime ishte shumë afër mësueses. M’u desh të ngjitesha mbi gardhin e shkollës për t’u arratisur bashkë me shokët e tjerë”, tha ajo.

E tronditur nga ngjarja, vajza priti jashtë shkollës së bashku me nënën e saj. Sipas kësaj të fundit, fjalët e para që i tha vajza pas shpëtimit ishin: “Mendova se nuk do të të shihja më kurrë.

Rrëfimi i saj është një nga dëshmitë më të forta të masakrës që tronditi Tajlandën, ku një nxënës hapi zjarr në shkollë pasi kishte vrarë më parë gjyshërit e tij.

Top Channel