Gjigantët e Anglisë futen në garë për talentin e Interit, zikaltrit vendosin çmimin marramendës për Pio Espositon

07/08/2026 14:12

Arsenal dhe Manchester United janë gati të përballen në një tjetër duel në merkaton e verës, kësaj radhe për talentin e Interit, Pio Esposito.

Sipas raportimeve të The Sun, përfaqësues të dy klubeve angleze ishin të pranishëm në derbin miqësor mes Interit dhe Milanit në Perth të Australisë, për të ndjekur nga afër sulmuesin 21-vjeçar, i cili konsiderohet një nga talentet më premtues të futbollit italian.

Paraqitja e Espositos ka lënë përshtypje shumë pozitive te skautët, të cilët kanë dërguar raporte të favorshme drejtuesve të Arsenalit dhe Manchester United.

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, prej muajsh po monitoron sulmuesin italian, pasi synon të shtojë alternativa në repartin ofensiv përkrah Viktor Gyökeres dhe Kai Havertz. Me largimin e mundshëm të Gabriel Jesus, londinezët janë në kërkim të një sulmuesi fizikisht dominant, që mund të përballojë mbrojtësit e Premier League dhe njëkohësisht të kontribuojë në lojën kolektive.

Edhe Manchester United e ndjek prej kohësh zhvillimin e Espositos. Drejtuesit e “Djajve të Kuq” kanë përgatitur një dosje të plotë për sulmuesin, por nuk planifikojnë të paraqesin menjëherë një ofertë zyrtare. Klubi anglez synon fillimisht të shesë Joshua Zirkzee, ndërsa më pas të afrojë një tjetër sulmues për të konkurruar me Benjamin Šeško.

Nga ana tjetër, Interi vazhdon ta konsiderojë Espositon një nga lojtarët kyç të projektit të së ardhmes. Publikisht, klubi zikaltër e ka cilësuar 21-vjeçarin si “të paprekshëm”, por sipas burimeve pranë negociatave, drejtuesit italianë kanë vendosur në mënyrë jozyrtare një vlerësim prej rreth 73 milionë paundësh.

Vetë Esposito nuk ka ushtruar presion për t’u larguar nga “San Siro”, megjithatë burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se ai është i tërhequr nga ideja për të luajtur në Premier League. Nëse Arsenal ose Manchester United vendosin të hedhin hapin konkret, një transferim në Angli mund të bëhet një mundësi reale gjatë kësaj merkatoje.

Top Channel