Banorët e Shtiqnit ruajnë Festën e Gjallicës, traditën e trashëguar ndër breza

07/08/2026 12:26

Në zemër të bjeshkëve të Kukësit, mes lëndinave të mbuluara me lule dhe panoramave të rralla malore, banorët e Shtiqnit vijojnë të ruajnë një traditë të veçantë: Festën e Malit të Gjallicës.

Për ta, kjo është më shumë se një kremtim. Është një lidhje me malin, me kujtesën e brezave dhe me një mënyrë jetese të trashëguar ndër vite.

Festa nis në mbrëmjen e së mërkurës në bjeshkët e Gjallicës, në vende si Kroi i Kuq dhe Sasati. Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, pelegrinët marrin rrugën drejt majës së malit, në 2 mijë e 489 metra mbi nivelin e detit.

Pas ngjitjes në mal, festa vijon në shtëpitë e banorëve, ku dyert hapen për miq, të afërm dhe vizitorë, duke e kthyer këtë traditë në një simbol mikpritjeje dhe bashkimi.

Gjallica mbetet një vend ku natyra, historia dhe tradita takohen çdo vit përmes njerëzve që vazhdojnë ta mbajnë gjallë këtë trashëgimi.

Top Channel