“Njerëzit e kanë gabim për të”/ Ish-sulmuesi i Realit dhe United zbulon anën e panjohur të Ronaldos: Nuk ka qenë kurrë arrogant, është shumë i përulur

06/08/2026 15:35

Ish-sulmuesi i Manchester United dhe i Real Madrid, Javier Hernández, ka rrëzuar perceptimet që shumë njerëz kanë për Cristiano Ronaldo, duke e përshkruar portugezin si një person shumë të përulur dhe jo arrogant.

Në një intervistë me ish-mbrojtësin Rio Ferdinand, “Chicharito” kujtoi periudhën kur luajti për një sezon te Real Madridi (2014-2015), ku ndau dhomat e zhveshjes me Ronaldon.

“Është konkurrues edhe kur ha darkë”, tha me humor sulmuesi meksikan, duke shpjeguar se mentaliteti fitues i Ronaldos nuk fiket asnjëherë.

“Por kjo nuk ka të bëjë me arrogancën. Ai nuk ka qenë kurrë arrogant. Thjesht ka një ‘çelës’ brenda vetes që është gjithmonë i ndezur. Për të qenë më i miri, duhet të sillesh si më i miri çdo ditë”, u shpreh Hernández.

Sipas tij, për shkak se të dy qëndronin shpesh pas stërvitjes për të punuar më shumë, pati mundësinë ta njihte Ronaldon larg kamerave.

“Kam kaluar shumë kohë vetëm me të dhe mund të them se është shumë njerëzor dhe shumë i përulur”, deklaroi ai.

Hernández shtoi se publiku shpesh e ka keqkuptuar faktin që Ronaldo e ka quajtur veten më të mirin.

“Ai gjithmonë shkonte kundër rrymës. Kur e pyesnin nëse ishte më i miri, ai përgjigjej ‘po’, sepse e kishte provuar këtë në fushë. Nëse je më i miri dhe e tregon me paraqitjet e tua, pse të mos e thuash?”, tha ish-sulmuesi.

Në fund, meksikani refuzoi krahasimet mes Ronaldos dhe Lionel Messi, duke theksuar se të dy janë futbollistë krejtësisht të ndryshëm.

“Kemi fatin që kemi parë të dy. Janë histori, stile dhe personalitete të ndryshme. Megjithatë, mendoj se mediat kanë qenë disi më të padrejta me Ronaldon sesa me Messin, sepse Cristiano është më i drejtpërdrejtë dhe flet më hapur,” përfundoi Hernández.

Top Channel