Një prej emrave më të mëdhenj dhe të spikatur në Skitë Alpine, Lara Gut Behrami mori vendimin më të rëndësishëm të jetës së saj dhe deklaron tërheqjen nga garat.

Skiatorja zvicerane, bashkëshortja e ish futbollistit të kombëtares helvete, Valon Behrami mbyll karrierën e saj të ndritur në këtë disiplinë sportive në moshën 35 vjeçare. Vetë Lara Gut Behrami e komunikoi këtë përmes një letre të publikuar në kanalet sociale të RSI.

‘Kam pasur fatin dhe nderin që të përjetoj një karrierë të gjatë dhe intensive, që të shpreh ëndrrat dhe dëshirat e mia përmes skiimit tim, që tqë përjetoj këtë udhëtim përkrah personave të jashtëzakonshëm-theksohet ndër të tjerat në letrën e Lara Gut Behramit-ndjesia e lirisë absolute mbi borë nuk më braktisi kurrë. Ka qenë te unë kur isha fëmijë, ishte e pranishme si sportiste dhe do të më shoqërojë edhe në të ardhmen. Jam me fat dhe e lumtur edhe për faktin që mund të zgjedh. Pavarësisht 20 viteve karrierë në nivel të lartë, pavarësisht rrëzimeve dhe dëmtimeve, nuk kam dhimbje dhe nuk dua të kem. Dhe, është edhe kjo arsye, që mendoj se erdhi momenti i duhur, ai për të mos këmbëngulur për të arritur, për të kaluar limitet me çdo kusht dhe t’i imponoj fizikut tim disa ritme. Skiimi përfaqëson diçka magjike dhe natyrale për mua, detyrimi i fizikut dhe mendjes sime për të duruar dhe menaxhuar dhimbjen do të ishte si të njollos imazhin që kam brenda meje të asaj që kam bërë me kaq shumë pasion’. 

Lara Gut Behrami ka fituar thuajse gjithçka mund të fitohet në karrierën e saj në disiplinën e Skive Alpine; 3 medalje olimpike(1 e artë dhe 2 të bronzta), 9 medalje botërore( 2 të arta, 4 tqë argjendta dhe 3 të bronzta), dy Kupa Bote të përgjithshme në 2016 dhe 2024, 6 Kupa në stilin Super G (2014, 2016, 2021, 2023, 2024, 2025) dhe një Kupë në slalomin gjigant në 2024.

Top Channel