Liga e Kampioneve për vajza, Vllaznisë nuk i mjafton Megi Doçi, shkodranet nuk arrijnë finalen e grupit
Cristiano Ronaldo ka hapur për herë të parë dyert e garazhit të tij privat, duke ndarë me miliona ndjekësit në Instagram një pamje të koleksionit të jashtëzakonshëm të makinave luksoze që zotëron.
Ylli portugez, i cili aktualisht është personi më i ndjekur në botë në Instagram, publikoi disa fotografi nga garazhi i tij, duke e shoqëruar postimin me përshkrimin “lodrat e një kampioni”.
Koleksioni i CR7 përfshin disa prej makinave më të rralla dhe më të shtrenjta në botë, mes tyre modele nga Bugatti, Ferrari, McLaren dhe Rolls-Royce, shumë prej të cilave janë prodhuar në seri të limituara.

Një prej “xhevahirëve” më të mëdhenj të koleksionit është Bugatti Centodieci, një hipermakinë e prodhuar vetëm në 10 ekzemplarë në të gjithë botën. Modeli, i krijuar për të festuar 110-vjetorin e markës franceze, ka një vlerë që fillimisht ishte rreth 8 milionë euro, ndërsa sot në tregun sekondar mund të arrijë deri në 15 milionë euro.
Bugatti Centodieci ka një motor W16 me katër turbo, me fuqi prej 1600 kuaj fuqi dhe përshpejton nga 0 në 100 km/h për vetëm 2.4 sekonda. Shpejtësia maksimale është e kufizuar elektronikisht në 380 km/h.

Në koleksionin e portugezit ndodhet gjithashtu Ferrari Daytona SP3, një tjetër hipermakinë ekskluzive e prodhuar në vetëm 599 njësi. Fillimisht u shit për rreth 2 milionë euro, por vlera e saj në tregun e koleksionistëve ka arritur deri në rreth 8 milionë euro.
Ferrari Daytona SP3 fuqizohet nga një motor V12 atmosferik me 840 kuaj fuqi, arrin shpejtësi mbi 340 km/h dhe përshpejton nga 0 në 100 km/h për 2.8 sekonda.

Ronaldo ka prej vitesh një lidhje të veçantë me markën Bugatti. Blerja e parë e tij nga kjo kompani ishte në vitin 2012, kur siguroi një Bugatti Veyron Grand Sport Vitesse, një makinë që në debutim mbante rekordin si kabrioja më e shpejtë në botë, me shpejtësi 408.84 km/h.

Në garazhin e tij gjendet edhe një McLaren Senna, e blerë gjatë periudhës së tij te Juventusi. Hipermakina, e frymëzuar nga legjenda e Formula 1 Ayrton Senna, ka një motor V8 biturbo me 800 kuaj fuqi dhe peshon vetëm 1198 kilogramë.

Përveç performancës ekstreme, shumë prej makinave të Ronaldos kanë edhe vlerë koleksionuese, pasi janë modele të rralla që me kalimin e viteve kanë rritur ndjeshëm çmimin në treg.
Koleksioni i yllit portugez është një tjetër dëshmi e pasionit të tij për automjetet luksoze, një interes që ai e ka shprehur prej vitesh si një nga dashuritë më të mëdha pas futbollit.
Top Channel