Grabitja me armë në argjendarinë në Paskuqan/ Autorët u futën në biznes me kallashnikov, kërcënuan dy punonjëset që ndodheshin brenda

05/08/2026 16:21

Një argjendari është grabitur pasditen e kësaj të mërkure në zonën e Paskuqanit, në Kamëz.

Siç mëson gazetarja e Top News, Kleida Muka, dy persona të armatosur kanë hyrë në ambientet e argjendarisë dhe, nën kërcënimin e armës, kanë marrë sende me vlerë. Dyshohet se autorët kanë qenë të pajisur me kallashnikov.

Në momentin e grabitjes, brenda argjendarisë ndodheshin dy vajza punonjëse, të cilat janë përballur me autorët. Deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.

Pas grabitjes, autorët janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja duke përdorur një motor pa targa.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e Kamzës dhe akset përreth, me qëllim kapjen e autorëve.

Deri në këto momente nuk është bërë e ditur vlera e sendeve të grabitura. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga Policia me detaje të mëtejshme.

Top Channel