Së shpejti AZHBR do të nisë disbursimin e 7.2 miliardë lekëve që qeveria ka vënë në dispozicion për fermerët që aplikuan për subvencione në Skemën Kombëtare dhe atë të Investimeve.
Numri i fermerëve që do të subvencionohen afërsisht shkon në 41 mijë, ku numrin më të lartë të aplikimeve kësaj here e zënë fermerët që kërkojnë para për tokën e punuar dhe blegtorët e të imtave.
“Tashmë AZHBR ka bërë kontrollet paraprake të asaj që ne i quajmë Skema e Pagesave Direkte, duke prodhuar kështu edhe listën e përfituesve të skemës, e cila po aplikohet tani nëpërmjet kontrolleve me qëllim që të fillojë pagesa e këstit të parë të shumës që fermerët kanë kërkuar”, u shpreh zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri.
Ndërsa numri i fermerëve që kanë kërkuar mbështetje për të ndërtuar nga e para ferma, si stane, apo që duan të blejnë traktorë, shkon në 465.
“Për sa i përket nivelit të aplikimeve, ne këtë vit kemi pasur kërkesat për fonde më të larta që kanë qenë ndonjëherë për Skemën Kombëtare, me 7.2 miliardë lekë”, u shpreh Guri.
Heqja e naftës nga Skema Kombëtare e këtij viti solli jo pak debate në vend, por sipas zëvendësministrit të Bujqësisë, Fatmir Guri, Skema e Re Kombëtare do t’i rezistojë kohës, sepse ky model është i njëjti me atë të BE-së.
“Nuk mendojmë që skema do të ketë ndonjë ndryshim të strukturës në vitet në vijim, por mund të ketë zgjerim të saj në bazë të fondeve që do të vihen në dispozicion, kjo sepse ajo është në përputhje me atë që BE-ja bën sot për fermerët e saj”, tha Guri.
Buxheti i shtetit në fillim të vitit kishte parashikuar që Skema Kombëtare të kishte një fond prej 5.2 miliardë lekësh, por numri i lartë i aplikimeve në këto dy skema e rriti fondin me 2 miliardë lekë, duke e çuar vlerën e mbështetjes në 7.2 miliardë lekë.
Top Channel