Pagjumësia nga vapa/ Temperaturat e larta në Europë, 65% e të rriturve ankohen se humbin mbi 3 orë gjumë çdo natë
Tetëdhjetë e tre vjet pas fundosjes, në thellësinë 96 metra të detit Jon është zbuluar, pothuajse e paprekur, një nga anijet më të rralla luftarake gjermane të Luftës së Dytë Botërore.
Bëhet fjalë për “Leichte Schnellboot 6”, ose LS 6, një motovedetë e lehtë siluruese e marinës gjermane, e ndërtuar prej alumini për të qenë sa më e lehtë dhe e shpejtë. Sipas të dhënave të deritanishme, ajo është e vetmja anije e këtij tipi që është ruajtur në botë.
Kërkimet nisën në vitin 2013, pas informacioneve të gjetura në arkivat ushtarake gjermane për një mjet të Kriegsmarine-s, i cili ishte zhdukur në shtator të vitit 1943 mes Lefkadës dhe Prevezës.
Studiuesi historik Jorgos Karelas luajti një rol vendimtar në mbledhjen e të dhënave dhe organizimin e kërkimit shumëvjeçar.
Identiteti i rrënojës u konfirmua nga ekipi AegeanTec, gjatë një zhytjeje teknike me sistem frymëmarrjeje me qark të mbyllur.
Në errësirën e thellësisë, zhytësit panë siluetën e anijes së vogël, e cila qëndron pothuajse drejt mbi shtratin ranor dhe është ruajtur në gjendje të jashtëzakonshme.
LS 6 ishte dërguar në Greqi së bashku me anijen e saj simotër, LS 5, pas kapitullimit të Italisë, për të marrë pjesë në operacionet gjermane në Egje.Por ajo u dëmtua rëndë gjatë një sulmi ajror britanik në Igumenicë.
Gjatë tërheqjes drejt Pireut për riparim, trupi prej alumini pësoi dëmtime. Uji nisi të hynte në brendësi dhe anija u fundos në zonën detare mes Lefkadës dhe Prevezës.
Motorët “Junkers Jumo”, përmasat e mjetit dhe kablloja e tërheqjes, ende e lidhur në pjesën e përparme, konfirmuan përfundimisht se bëhej fjalë për LS 6.
Sipas mediave greke bëhet fjalë për një zbulim unik për historinë detare .
Top Channel