Vllaznia ka zyrtarizuar afrimin e mbrojtësit François André Dulysse, i cili do të jetë pjesë e skuadrës shkodrane për sezonin e ri.

Futbollisti haitian rikthehet në kampionatin shqiptar pas eksperiencës së tij në Izrael, ndërsa më herët ka lënë gjurmë në Superiore me fanellën e Egnatias, ku fitoi dy tituj kampionë.

Marrëveshja mes palëve ishte arritur prej kohësh, por klubi kuqeblu vendosi ta zyrtarizojë transferimin vetëm sot. Dulysse, i cili është edhe pjesë e kombëtares së Haitit, pritet të sjellë eksperiencë dhe siguri në repartin mbrojtës të Vllaznisë.

Në njoftimin zyrtar, klubi bëri të ditur se mbrojtësi ka firmosur një kontratë me formulën 1+1.

“François André Dulysse është kuqeblu! Një tjetër përforcim i rëndësishëm i bashkohet Vllaznisë për sezonin e ri me kontratë 1+1. Mbrojtësi do të sjellë cilësi, forcë dhe eksperiencë në repartin difensiv të skuadrës sonë. I urojmë mirëseardhjen në familjen e madhe të Vllaznisë dhe shumë suksese me fanellën kuqeblu”, thuhet në reagimin e klubit shkodran.

Top Channel