Me afrimin e fillimit të sezonit të ri në Superiore, Partizani ka nisur të matë forcën e tij përballë rivalëve të kampionatit.

Skuadra e drejtuar nga Florin Bratu do të zhvillojë një miqësore të rëndësishme, e cila pritet të japë një ide më të qartë për gjendjen fizike dhe taktike të ekipit.

Trajneri rumun ka kërkuar një kundërshtar me peshë përpara nisjes së garave zyrtare dhe drejtuesit kanë siguruar një përballje me Elbasanin, një skuadër që pritet të jetë ndër ekipet konkurruese në sezonin e ri.

Elbasani, pas përfundimit të angazhimit në arenën europiane, ka vijuar punën për përgatitjen e skuadrës me objektiva të qarta për kampionatin. Verdheblutë synojnë të jenë sërish një rival i fortë për zonat e larta të renditjes dhe për një vend në kompeticionet europiane.

Për Partizanin, kjo sfidë shihet si një provë e vlefshme për të vlerësuar nivelin e skuadrës pas fazës përgatitore dhe për të testuar alternativat që mund të përdoren gjatë sezonit.

Ndeshja mes Partizanit dhe Elbasanit do të zhvillohet të enjten në orën 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, ku të dy trajnerët do të kenë mundësinë të shohin në praktikë punën e bërë gjatë përgatitjeve.

Top Channel