Goditja prej 50 milionë eurosh e Juventusit, Kolo Muani zyrtarizohet bardhezi deri në vitin 2031
Juventus ka zyrtarizuar afrimin e një prej talenteve më premtues të futbollit evropian. Klubi bardhezi ka njoftuar transferimin e Kerim Alajbegovic nga Bayer Leverkusen, me futbollistin boshnjak të vitlindjes 2007 që ka firmosur një kontratë 5-vjeçare, e vlefshme deri në vitin 2031.
Alajbegovic është prezantuar në ambientet e klubit duke pozuar përkrah drejtuesve të Juventusit, drejtorit teknik Frederic Massara dhe drejtorit sportiv Marco Ottolini.
Transferimi i talentit boshnjak ka një vlerë të konsiderueshme financiare. Sipas njoftimit zyrtar të Juventusit, klubi italian do t’i paguajë Bayer Leverkusen 30 milionë euro, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 5 milionë euro të tjera në formën e bonuseve, të lidhura me objektiva sportive. Përveç kësaj, Juventus ka paguar edhe 2 milionë euro për shpenzime shtesë të operacionit.
Kerim Alajbegovic është një anësor ofensiv, i aftë të luajë me të dyja këmbët. I lindur në Këln, por me kombësi boshnjake, ai vjen në Torino pas një sezoni të rëndësishëm me Salzburgun në Austri.
Gjatë sezonit të fundit, 17-vjeçari zhvilloi 44 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 13 gola dhe duke dhënë 4 asistime.
Juventus e përshkruan si një lojtar dinamik dhe të gjithanshëm, me aftësi të mira në hapësira të ngushta, i cili mund të krijojë epërsi numerike falë driblimeve dhe aftësisë për të goditur me të dyja këmbët.
Ai është formuar në akademitë e Këlnit dhe Bayer Leverkusen, ku ka kaluar hapat e parë të zhvillimit dhe ka arritur deri te ekipi i parë, duke marrë edhe minuta në Bundesliga dhe Champions League.
Pas zyrtarizimit, Alajbegovic u shpreh i emocionuar për aventurën e re në Serie A.
“Jam gati për Serie A dhe për futbollin italian. Kur luan për klubin më të madh italian duhet të ndihesh i nderuar dhe të punosh shumë për t’u përmirësuar”, tha ai.
“Jam shumë mirënjohës për këtë mundësi dhe krenar që mbaj fanellën e Juventusit. Falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur, veçanërisht prindërit dhe familjen time. Pa ju nuk do të isha këtu”.
Alajbegovic shtoi se dëshiron të përshtatet sa më shpejt me skuadrën:
“Mezi pres të jap gjithçka për këtë klub dhe tifozët e tij. Jam këtu dhe jam gati”.
Për momentin e parë në stadiumin e Juventusit, ai tha:
“Sapo mbërrita në Stadium provova ndjesi shumë të bukura. Është një nder i madh të vesh këtë fanellë dhe do të jap maksimumin”.
Duke folur për stilin e tij të lojës, Alajbegovic u shpreh: “Jam një lojtar që më pëlqen të kem topin në këmbë, të bëj driblime dhe krosime, por edhe të godas në portë dhe të kërkoj asistime”.
Ai gjithashtu kujtoi edhe përballjen e Bosnjës në play-off-in e Botërorit kundër Italisë, ku skuadra e tij siguroi kualifikimin: “Ishte një ndeshje e bukur, por edhe e vështirë sepse ata luajtën mirë. Për fat të mirë fituam ne”.
Ndërkohë, përmes rrjeteve sociale, Alajbegovic i ka dhënë lamtumirën Bayer Leverkusen:
“Përshëndetje tifozë të Bayerit. Dua t’ju falënderoj, jam mirënjohës për gjithçka dhe i uroj klubit më të mirën për të ardhmen dhe shumë suksese”.
Top Channel