Temperaturat e larta që pritet të përfshijnë vendin gjatë ditëve në vijim kanë rritur nivelin e gatishmërisë së strukturave të Emergjencave Civile në qarkun e Vlorës, një nga zonat me riskun më të lartë për zjarre në vend.
Sipas parashikimeve të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, deri më 4 gusht pritet rritje e mëtejshme e temperaturave, ndërsa terreni i thyer dhe sipërfaqet e gjera pyjore e bëjnë qarkun e Vlorës veçanërisht të ekspozuar ndaj zjarreve.
Robert Skëndaj, Shefi i emergjencave civile pranë prefekturës së qarkut Vlorë shprehet “Pjesa ku tregon se janë zhvilluar kontakte të vazhdueshme me bashkitë, drejtoritë e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, me qëllim që mjetet, efektivët dhe të gjitha kapacitetet operacionale të jenë në gatishmëri të plotë. Në këtë angazhim janë përfshirë edhe Drejtoritë e Pyjeve dhe kapacitetet mbështetëse të bashkive”.
Ndërkohë, gjatë këtij sezoni janë zhvilluar edhe fushata sensibilizuese në zonat me risk më të lartë, ku përfshihen Bashkia e Selenicës, Delvina, Finiqi, Konispoli dhe zonat malore të Himarës. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i zjarreve gjatë këtij viti ka shënuar një ulje prej rreth 50 deri në 60 për qind. Sipas autoriteteve, të gjitha rastet janë përballuar nga kapacitetet e bashkive ose me mbështetjen e bashkive fqinje. Vetëm në dy raste është kërkuar ndërhyrje nga ajri, për zjarret në zonën e Shallegarit në Vlorë dhe në Gjirin e Hartës në Ksamil. Ndërsa Forcat e Armatosura janë angazhuar vetëm një herë, gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit në Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin çdo ndezje zjarri në ambiente të hapura, pasi temperaturat e larta dhe era mund të favorizojnë përhapjen e flakëve brenda pak minutash. Sipas tyre, parandalimi mbetet mënyra më efektive për të shmangur situata të rënda, si ato me të cilat po përballen aktualisht disa vende të rajonit.
Top Channel