Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve vijojnë ta mbajnë Qarkun e Lezhës në vëmendje për sa i përket rrezikut të zjarreve, ndonëse sipas vlerësimeve më të fundit niveli i rrezikut është moderuar.
Të dhënat e Institutit të Gjeoshkencave, të përcjella përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Mbrojtjes Civile, e klasifikojnë aktualisht qarkun në zonën me rrezik të moderuar. Megjithatë, autoritetet theksojnë se periudha e gjatë e thatësirës dhe mungesa e reshjeve mbajnë ende të pranishëm rrezikun e shpërthimit të vatrave të zjarrit.
Përballë kësaj situate, bashkitë e qarkut dhe Prefektura e Lezhës kanë aktivizuar planet e mbrojtjes civile, me qëllim ndërhyrjen e shpejtë në çdo rast dhe kufizimin e dëmeve.
Mbrojtja Civile u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, të njoftojnë menjëherë shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat përkatëse nëse konstatojnë një vatër zjarri, si dhe, vetëm nëse është e sigurt, të ndihmojnë në izolimin e saj deri në mbërritjen e forcave të zjarrëfikse.
Po ashtu, qytetarët ftohen të marrin masa për mbrojtjen e pronave dhe mjedisit, duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në këtë periudhë.
Top Channel