Kalaja e Shkodrës më e vizituara, ndalesa kryesore për turistët në Veri të Shqipërisë do rikonstruktohet

02/08/2026 20:05

Kalaja e Shkodrës vijon të jetë një nga ndalesat kryesore për vizitorët që mbërrijnë në veri të Shqipërisë.

Nga muret e saj shekullore, turistët zbulojnë historinë e një prej monumenteve më të rëndësishme të vendit, ndërsa përballë tyre shtrihet një panoramë unike mbi qytetin, liqenin dhe lumenjtë Buna e Drin.

“Është shumë bukur, vërtet shumë bukur. Jam shumë e lumtur që ndodhem këtu. Gjithçka është e këndshme dhe e bukur. Më pëlqen shumë. Pamja është e mrekullueshme”, u shpreh një nga vizitoret.

“Sigurisht që na pëlqen. Pamja është fantastike dhe prej këtu mund të shohësh të gjithë qytetin. Nuk dimë shumë për historinë, vetëm disa gjëra, pasi unë kam origjinë shqiptare. Babai im është nga Shkodra. Kam qenë këtu kur isha e vogël, rreth katër ose gjashtë vjeçe. Aktualisht jetoj në Greqi, nuk jetoj këtu. Kjo është hera jonë e parë që vij tashmë si e rritur. Na pëlqen vërtet shumë, e duam këtë vend”, u shpreh një turiste tjetër.

“Pamja është e bukur dhe kalaja është shumë e madhe e madhështore. Është vërtet shumë bukur. Më pëlqen Shqipëria”, shtoi një turiste tjetër.

“Këtu ka shumë gjëra të ndryshme për të parë. Ka histori, por edhe qytet dhe shumëçka tjetër. Është e jashtëzakonshme. Kalaja është ruajtur shumë mirë dhe ka një shtrirje tepër të madhe. Ne vijmë nga Katalonja dhe na pëlqejnë shumë kështjellat dhe vende të tilla. Kjo është një nga kalatë më të ruajtura dhe më të bukura që kemi parë ndonjëherë. Pamja është e pabesueshme, është mahnitëse. Kjo është dita jonë e katërt në Shqipëri dhe jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu. Është e mrekullueshme të shohësh të gjitha malet, lumenjtë, rrugët e vjetra që nuk përdoren më dhe rrugët e reja”, tha një turist.

Nderkohe Kalaja e Shkodrës po përgatitet për një transformim të rëndësishëm. Përmes një investimi të qeverisë shqiptare, monumenti pritet të përfitojë ndërhyrje në infrastrukturë, me synim përmirësimin e aksesit dhe krijimin e kushteve më të mira për turistët.

Top Channel