Atletico Madrid futet në garë për dështimin e Manchester City-t, Simeone e sheh si përforcimin ideal

02/08/2026 19:15

Jack Grealish mund të vazhdojë karrierën në La Liga. Sipas raportimeve të mediave britanike, Atletico Madrid po shqyrton mundësinë e transferimit të sulmuesit anglez, i cili nuk bën më pjesë në planet e Manchester Cityt.

Trajneri Diego Simeone e vlerëson 30-vjeçarin për angazhimin e tij si me topin, ashtu edhe pa të, duke besuar se profili i Grealish përshtatet me filozofinë e lojës së skuadrës madrilene. Argjentinasi ka punuar edhe më parë me futbollistë anglezë si Kieran Trippier dhe Conor Gallagher.

Megjithatë, realizimi i marrëveshjes nuk pritet të jetë i lehtë. Atletico ka shumë alternativa në repartin ofensiv, pasi gjatë merkatos ka afruar Lee Kang-in nga PSG, ndërsa në dispozicion ka edhe Alex Baena, Thiago Almada dhe Ademola Lookman.

Në rast se transferimi realizohet, Grealish pritet të pranojë një rol me rotacion në skuadër.

Futbollisti anglez nuk ka luajtur që nga janari, pasi pësoi një dëmtim në këmbë gjatë huazimit te Everton. Pas rikuperimit, ai është rikthyer në stërvitje, por nuk u përfshi në turneun përgatitor të Manchester Cityt në Hong Kong dhe Seul.

Aktualisht, Grealish po stërvitet me Mallorca për të ruajtur formën fizike, ndërsa pret të qartësohet e ardhmja e tij.

Nëse kalimi te Atletico Madrid nuk konkretizohet, Everton mbetet një alternativë reale. Klubi nga Liverpooli dëshiron ta marrë sërish në huazim, pasi është i kënaqur me paraqitjet e tij sezonin e kaluar, kur ai shënoi dy gola dhe dha gjashtë asistime.

Një tjetër mundësi është rikthimi te Aston Villa, klubi ku u formua si futbollist dhe ku zhvilloi 213 ndeshje si kapiten. Drejtuesit e Villa-s po shqyrtojnë mundësinë e rikthimit të tij për t’i shtuar kreativitet skuadrës, veçanërisht në prag të largimit të Leon Bailey.

Interes për Grealish kanë shfaqur edhe klube nga Arabia Saudite. Al-Hilal, Al-Ahli dhe Neom kanë bërë kontakte për anglezin dhe janë të gatshëm t’i ofrojnë një pagë që varion nga 17 deri në 21 milionë paund në sezon.

Gjithashtu, për 30-vjeçarin ka interes edhe nga MLS, ku drejtuesit e ligës amerikane besojnë se profili dhe popullariteti i tij do të kishin ndikim të madh edhe në aspektin komercial.

Top Channel