Mario Mitaj ka nisur zyrtarisht një kapitull të ri në karrierën e tij.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka firmosur me Genoan dhe nga sezoni i ri do të jetë pjesë e elitës së futbollit italian, në Serie A.

Klubi italian ka mbyllur marrëveshjen për transferimin e 22-vjeçarit, duke fituar garën për shërbimet e tij përballë disa interesimeve të tjera në merkato. Mitaj rikthehet kështu në Europë pas aventurës në Arabinë Saudite, ku ishte pjesë e Al-Ittihad.

Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, mbrojtësi shqiptar kishte refuzuar disa oferta nga Portugalia, pasi preferoi projektin e Genoas dhe mundësinë për të luajtur në një nga kampionatet më të forta të Europës.

Mitaj ishte kërkuar edhe nga Porto, por në fund ishte klubi italian me 9 tituj kampionë të Italisë që arriti të siguronte firmën e tij.

Pas periudhave me AEK-un dhe Lokomotivën e Moskës, si dhe eksperiencës në Arabinë Saudite, Mitaj tashmë do të provojë veten në një skenë të re. Me Al-Ittihad ai regjistroi 58 paraqitje dhe u shpall edhe kampion i Arabisë Saudite.

Megjithatë, gjatë sezonit të fundit, minutat e tij u kufizuan për shkak të rregullave për numrin e lojtarëve të huaj në kampionatin saudit, duke bërë që mbrojtësi shqiptar të kërkonte një mundësi të re larg klubit.

Transferimi te Genoa shihet si një hap i rëndësishëm për Mitajn, i cili tashmë do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në Serie A, ndërsa do të mbajë numrin 2 dhe të vazhdojë zhvillimin si një nga talentet më premtuese të futbollit shqiptar.

Top Channel