Shitja e të drejtave të Botërorit në investimet private, reagon për herë të parë edhe Presidenti Trump: S’kam folur kurrë me Infantinon për këtë gjë

31/07/2026 19:09

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka diskutuar me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, rreth planit të organizatës botërore të futbollit për t’u ofruar investitorëve privatë aksione në një kompani të re që do të menaxhojë Kupën e Botës dhe aktivitetet e tjera të saj.

Duke folur për gazetarët në Camp David, Trump tha se nuk kishte pasur biseda me Infantinon për këtë çështje, pavarësisht marrëdhënies së afërt që dy liderët kanë krijuar pas organizimit të Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara.

FIFA njoftoi këtë javë se synon të krijojë një kompani të re me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, e cila do të merret me menaxhimin e të drejtave komerciale të Kupës së Botës dhe turneve të tjera ndërkombëtare.

Sipas planit, investitorëve të jashtëm do t’u ofrohen deri në 20% të aksioneve të kësaj strukture të re.

Një grup investitorësh i udhëhequr nga një kompani e themeluar nga Joshua Kushner, vëllai i dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, pritet të jetë pjesë e këtij projekti.

Plani i FIFA-s ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit, veçanërisht nga UEFA, e cila ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë privatizimi i pjesshëm i aktiviteteve komerciale të organizatës.

Ndërkohë, Infantino ka mbrojtur projektin duke deklaruar se ai synon të rrisë të ardhurat për të gjitha federatat anëtare të FIFA-s dhe se nuk përbën një “shitje të futbollit”, por një mënyrë të re për menaxhimin e mundësive ekonomike të këtij sporti.

Top Channel