Real Madrid drejt rekordit historik, “Fabrika” i sjell klubit gati 200 milionë euro. Akademia paguan për rindërtimin

31/07/2026 13:12

Real Madrid po shkon drejt një rekordi historik falë shitjes së lojtarëve të dalë nga akademia e klubit. Të ardhurat nga transferimet e “La Fábrica” pritet të afrohen me 200 milionë euro, duke tejkaluar me shumë diferencë rekordin e mëparshëm.

Largimi i Gonzalos drejt Fulhamit është marrëveshja më e fundit e rëndësishme. Sulmuesi do t’i bashkohet klubit anglez për 40 milionë euro, plus 2 milionë euro bonuse, ndërsa Real Madrid do të mbajë 30% të të drejtave të tij, duke ruajtur gjithashtu një të drejtë preferenciale për ta rikthyer në të ardhmen.

Një tjetër talent i akademisë, César Palacios, është gjithashtu pranë kalimit te Fulhami. Transferimi i tij pritet të mbyllet për një shumë që varion nga 8 deri në 10 milionë euro, në varësi të bonuseve, me Real Madridin që do të mbajë gjithashtu një përqindje të kartonit.

Me shitjen e Gonzalos, së bashku me transferimet e Nico Paz, Víctor Muñoz, Mario Gila, Álvaro Rodríguez, Álex Jiménez, Fran García, Mario Martín dhe Valdepeñas, të ardhurat e klubit nga akademia kanë arritur në rreth 175.5 milionë euro. Nëse finalizohet edhe marrëveshja e Palacios, shifra do të ngjitet në rreth 185.5 milionë euro.

Klubi madrilen pritet të arkëtojë edhe më shumë nga shitja e Jacobo Ortegës, i cili është pranë transferimit te Strasburgu për 8 milionë euro, me Real Madridin që do të mbajë 50% të të drejtave të lojtarit.

Ndërkohë, në negociata është edhe largimi i portierit Fran González drejt Sevillas. Edhe pse bisedimet janë ngadalësuar për shkak të kushteve financiare dhe sportive, te Real Madrid besojnë se marrëveshja do të arrihet.

Nëse mbyllen edhe këto operacione, të ardhurat nga akademia mund të afrohen me kufirin e 200 milionë eurove, ndërsa merkatoja verore ka ende një muaj deri në mbyllje.

Top Channel