Ortek në malin Broad Peak në Pakistan/ Humbin jetën dy turistë, tetë të tjerë ende të zhdukur

31/07/2026 10:05

Të paktën dy alpinistë kanë humbur jetën si pasojë e një orteku në malin Broad Peak në Pakistan, ndërsa tetë anëtarë të tjerë të ekipit të alpinistit të njohur nepalez Nirmal Purja rezultojnë ende të zhdukur.

Klubi Alpin i Pakistanit konfirmoi vdekjen e Nadirës Al Harthi nga Omani dhe Pur Bahadur Gurung “Yukta” nga Nepali.

“Trupi i Nadirës është gjetur dhe po transportohet me helikopter për në vendin e saj. Marrëveshjet për transportimin e Yuktës janë duke u finalizuar”, thuhet në deklaratën e publikuar të premten nga klubi.

“Operacionet e kërkim-shpëtimit për të zhdukurit po vazhdojnë. Mendimet tona janë me familjet e viktimave dhe me komunitetin ndërkombëtar të alpinizmit në këtë periudhë të vështirë”, shtohet në deklaratë.

Nirmal Purja është një nga tre alpinistët rekordmenë, së bashku me Mingma David Sherpa dhe Tejan Gurung, që drejtojnë kompaninë e alpinizmit Elite Exped, e specializuar në organizimin e ekspeditave të udhëhequra në majat më të larta të botës.

I lindur në Nepal, Purja, i njohur gjerësisht me nofkën “Nimsdai”, ka shërbyer për 16 vjet në ushtri, fillimisht për gjashtë vjet në Regjimentin elitë Gurkha dhe më pas për 10 vjet në Forcat Speciale Detare të Mbretërisë së Bashkuar (SBS).

43-vjeçari konsiderohet një figurë legjendare e alpinizmit botëror. Ai mban rekordin për ngjitjen më të shpejtë të 14 majave mbi 8 mijë metra, një arritje që e ka bërë një nga alpinistët më të njohur në botë.

Sipas autoriteteve lokale, orteku goditi ekipin ndërsa alpinistët po lëviznin nga Kampi 2 drejt Kampit 3, me synimin për të vijuar ngjitjen drejt majës. Në ekspeditë merrnin pjesë gjithsej 10 alpinistë, përfshirë edhe Purjan.

Mediat lokale raportojnë se orteku ra rreth mesditës së së enjtes në vargmalin Karakoram. Që prej atij momenti nuk ka pasur asnjë kontakt me grupin, ndërsa operacionet e shpëtimit me helikopter janë penguar nga kushtet e vështira atmosferike.

Megjithatë, ekipet e shpëtimit kanë ende shpresë, pasi pajisja gjurmuese e Purjas ka regjistruar disa lëvizje edhe pas ortekut.

Top Channel