Brescia Calcio ka shpallur zyrtarisht fundin e saj. Gjykata e Brescias ka nxjerrë vendimin për falimentimin e klubit historik italian, duke i dhënë fund një prej kapitujve më të dhimbshëm në historinë sportive të qytetit.

Klubi, i drejtuar në vitet e fundit nga Massimo Cellino, u përball me një krizë të thellë ekonomike dhe menaxheriale, e cila kulmoi me përjashtimin nga futbolli profesionist dhe nisjen e procedurave të likuidimit gjyqësor.

Brescia kishte detyrime financiare prej rreth 20 milionë eurosh, ndërsa mosmbulimi i kërkesave federative dhe atyre tatimore bëri që klubi të mos mund të siguronte vazhdimësinë në garat profesionale.

Një tjetër goditje për klubin është humbja e të ardhurave nga shitja e Sandro Tonalit te Tottenham, rreth 4 milionë euro, të cilat tashmë pritet të përfundojnë në një fond të FIFA-s. Edhe milionat e përfituara nga transferimi i Tonalit te Milani dhe më pas te Newcastle, rreth 6 milionë euro me bonuse, nuk mjaftuan për të shpëtuar situatën financiare.

Falimentimi shënon fundin e një historie të gjatë për një klub që, pavarësisht se nuk ka qenë mes gjigantëve të futbollit italian, ka pasur një rol të rëndësishëm në elitën e Serie A dhe ka qenë shtëpia e disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.

Në fanellën e Brescias kanë luajtur legjenda si Roberto Baggio, një nga futbollistët më të mëdhenj italianë të të gjitha kohërave, i cili kaloi një periudhë të paharrueshme te klubi në fillim të viteve 2000. Me Brescian ai fitoi dashurinë e tifozëve dhe ndihmoi skuadrën të shkëlqente në Serie A.

Po ashtu, te Brescia hodhi hapat e parë në nivelet e larta edhe Andrea Pirlo, i cili luajti për klubin në fundin e viteve ’90 dhe fillimin e viteve 2000, përpara se të ndërtonte një karrierë legjendare me Milanin, Juventusin dhe kombëtaren italiane.

Mes emrave të tjerë të njohur që kanë veshur fanellën e Brescias janë edhe Pep Guardiola, Gheorghe Hagi dhe Luca Toni, duke e bërë klubin një pikë referimi për shumë talente dhe yje të futbollit ndër vite.

Në javët e fundit, Cellino tentoi një përpjekje të fundit për të ruajtur ekzistencën sportive të klubit, duke synuar regjistrimin e një skuadre të të rinjve në kampionatet federale, por projekti nuk arriti të plotësonte kushtet e nevojshme.

Megjithatë, ish-presidenti i klubit nuk e ka pranuar vendimin dhe ka deklaruar se do ta apelojë.

“Shpresoj që ky vendim të mund të përmbyset, sepse ka një keqinterpretim serioz dhe një dëm që duhet shmangur në interes të kreditorëve”, u shpreh Cellino për Italpress.

Ndërkohë, qyteti i Brescias do të vazhdojë të përfaqësohet në futboll nga Union Brescia, klub i themeluar në vitin 2025 nga një grup sipërmarrësish, i cili aktualisht garon në Serie C.

Top Channel