Turizëm nën hijen e bombave, kriza në Krime pas pushtimit nga Rusia, vendasit mbeten pa energji dhe karburant

30/07/2026 13:10

Një shpërthim u dëgjua mbi qytetin e Sevastopolit në gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia. Ndërsa vendasit shijojnë plazhin, thonë se janë mësuar tani të jetojnë mes shpërthimeve.

Gjëja e parë që mendojnë është se shpërthimin mund ta ketë shkaktuar një stërvitje ruse e mbrojtjes ajrore, por nuk përjashtojnë as një sulm me dronë ukrainas, pasi kohët e fundit, Ukraina ka përshkallëzuar ndjeshëm fushatën e saj të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe impianteve të karburantit në gadishullin e Detit të Zi. Pavarësisht luftës, banorët dhe turistët po përpiqen të ruajnë një ndjesi normaliteti mes alarmeve të shpeshta ajrore. Sulmet kanë shkaktuar viktima civile.

Guvernatori i Krimesë, Sergei Aksyonov, konfirmoi se dy persona humbën jetën gjatë orëve të natës në mesin e kësaj jave. Për 2.4 milionë banorët e Krimesë, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe mungesa akute e karburantit janë bërë pjesë e jetës së përditshme. Shpërndarësi rajonal i energjisë, Crimenergo, njofton çdo ditë kufizimet në faqen e tij zyrtare, ndërsa autoritetet kanë shpallur tashmë gjendjen e jashtëzakonshme lokale dhe kanë ndaluar shitjen e lirë të benzinës. Aktualisht, një litër benzinë pa plumb 95 oktanë ka arritur në rreth 250 rubla (rreth 3 dollarë)  një rritje prej tre deri në katër herë krahasuar me periudhën e mëparshme.

Resortet bregdetare, hotelet dhe bizneset e vogla janë të detyruara të mbështeten te gjeneratorët për të mbijetuar. Rusia e pushtoi dhe e aneksoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014, lëvizje kjo që solli sanksionet e para të rënda nga Perëndimi.

Rajoni ka një rëndësi të jashtëzakonshme simbolike dhe politike për presidentin rus Vladimir Putin, i cili u kishte premtuar vendasve një standard më të lartë jetese nën sundimin e Moskës. Megjithatë, pothuajse asnjë vend i botës nuk e njeh Krimenë si territor rus.

 

Top Channel