“Shpirti i futbollit nuk shitet”/ BE sulmon projektin e ri të FIFA, shqyrtohet bojkoti i Botërorit nga kombëtaret europiane

29/07/2026 14:07

Komisioni Evropian i është bashkuar kritikave të UEFA-s ndaj planit të FIFA-s për krijimin e një kompanie të re tregtare me investitorë privatë, e cila do të menaxhonte një pjesë të biznesit të Kupës së Botës dhe aktiviteteve të tjera të organizatës.

Komisioneri evropian për Sportin, Glenn Micallef, e cilësoi komercializimin e vazhdueshëm të futbollit si një proces që po dëmton identitetin e këtij sporti. Ai tha se Komisioni Evropian do t’i shqyrtojë me kujdes propozimet e FIFA-s, duke ngritur shqetësime për përputhjen e interesave financiare private me kompetencat rregulluese të organizatës.

FIFA njoftoi krijimin e një entiteti të ri me një vlerësim të parashikuar prej rreth 20 miliardë dollarësh, ku investitorëve të jashtëm do t’u ofrohet mundësia të blejnë deri në 20% të aksioneve. Sipas FIFA-s, ky model synon të sigurojë të ardhura të reja për federatat kombëtare dhe të rrisë investimet në futbollin global.

Por plani ka shkaktuar reagim të fortë nga UEFA, e cila ka paralajmëruar se “shpirti i futbollit nuk mund të shitet”. Kritikat janë përqendruar te frika se një pjesë e kontrollit financiar të Botërorit mund të kalojë te investitorë privatë.

Pas lëvizjes së FIFA-s, në skenë është përmendur edhe kompania e investimeve Thrive Capital, e lidhur me biznesmenin amerikan Joshua Kushner, kunati i vajzës së presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump. Sipas raportimeve, FIFA po bashkëpunon edhe me bankën amerikane JPMorgan për këtë projekt.

Debati ka kaluar edhe në nivel politik. Disa vende evropiane po shqyrtojnë mundësinë e kundërshtimit të planit, ndërsa mediat britanike raportojnë se federata të ndryshme mund të diskutojnë edhe një bojkot të mundshëm të Botërorit nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, vijon me këtë nismë.

FIFA, nga ana e saj, argumenton se investitorët do të zgjidhen me kujdes dhe do të kenë vetëm pjesëmarrje të kufizuar, ndërsa të ardhurat e krijuara do të rikthehen në zhvillimin e futbollit në mbarë botën. Për miratimin përfundimtar, plani duhet të marrë edhe aprovimin e federatave anëtare të FIFA-s.

Top Channel