Presidenti i Barcelonës përfundon në spital, Joan Laporta jep lajmin për gjendjen e tij

29/07/2026 10:11

Presidenti i Barcelona, Joan Laporta, ka qetësuar tifozët pas një problemi shëndetësor që e detyroi të shtrohej në spital.

64-vjeçari bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se kishte pësuar një aritmi kardiake (çrregullim të ritmit të zemrës), por se ndërhyrja mjekësore rezultoi e suksesshme dhe tashmë zemra e tij po rreh normalisht.

“Gjithçka shkoi shumë mirë. Aritmia u korrigjua dhe zemra ime po rreh sërish në mënyrë ritmike. Jam shumë mirënjohës ndaj mjekëve, infermierëve dhe të gjithë stafit të Spitalit të Barcelonës për profesionalizmin dhe përkujdesjen e tyre”, shkroi Laporta.

Ai falënderoi gjithashtu ekipin mjekësor të Barcelonës, si dhe specialistët që e këshilluan gjatë trajtimit, ndërsa një mesazh të veçantë e rezervoi për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që i dërguan mesazhe mbështetëse.

Për shkak të këtij problemi shëndetësor, Laporta nuk do të udhëtojë me skuadrën në St George’s Park, në Angli, ku Barcelona do të zhvillojë fazën përgatitore. Sipas mediave spanjolle, në vend të tij klubi do të përfaqësohet nga zëvendëspresidenti Rafa Yuste dhe drejtori sportiv Deco.

Top Channel