Administrata Trump ndalon importin e robotëve humanoidë kinezë, “justifikimi”: Për arsye sigurie kombëtare
Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) ka ngritur akuza ndaj themeluesit të Telegramit, Pavel Durov, për lehtësim të aktiviteteve terroriste dhe ka lëshuar një urdhër ndërkombëtar për arrestimin e tij.
Sipas FSB-së, akuzat lidhen me dështimin e platformës Telegram për të hequr materiale që, sipas autoriteteve ruse, janë përdorur nga shërbimet speciale ukrainase dhe organizata terroriste e ekstremiste për të planifikuar dhe koordinuar akte sabotimi, sulme terroriste, vrasje masive dhe operacione mashtrimi kibernetik brenda territorit rus.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga Pavel Durov apo kompania Telegram lidhur me akuzat.
Telegram, aplikacioni i mesazheve i themeluar në vitin 2013, numëron mbi një miliard përdorues në mbarë botën dhe përdoret gjerësisht si në Rusi ashtu edhe në Ukrainë gjatë konfliktit mes dy vendeve.
Rusia ka tentuar vazhdimisht të kufizojë përdorimin e platformës, ndërsa ka promovuar shërbimin shtetëror të mesazheve MAX si alternativë.
Pavel Durov, i lindur në Rusi dhe aktualisht shtetas i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Francës, është gjithashtu themelues i rrjetit social VKontakte. Ai u largua nga Rusia në vitin 2014, pasi shiti aksionet e tij në kompani mes presionit të autoriteteve ruse.
Ndërkohë, Durov po përballet edhe me një hetim në Francë. Autoritetet franceze po shqyrtojnë pretendimet se Telegram nuk ka ndërmarrë masa të mjaftueshme për të frenuar aktivitetet kriminale në platformë dhe nuk ka bashkëpunuar plotësisht me organet e zbatimit të ligjit. Durov i ka mohuar të gjitha akuzat.
Top Channel