Vajza 14-vjeçare e Kim Jong-un në krah të të atit, shtohen spekulimet se do të trashëgojë pushtetin

28/07/2026 23:00

Vajza 14-vjeçare e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, është shfaqur sërish në krah të të atit gjatë ceremonive që shënuan 73-vjetorin e armëpushimit të Luftës Koreane, duke forcuar edhe më tej spekulimet se ajo po përgatitet për një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e vendit.

Ju Ae mori pjesë për herë të parë në aktivitetet përkujtimore të armëpushimit të vitit 1953, i cili i dha fund luftimeve në Luftën Koreane, por jo konfliktit zyrtar, pasi Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut mbeten teknikisht ende në gjendje lufte.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, Kim Jong-un dhe vajza e tij vendosën lule në varrezat e të rënëve, vizituan varrezat ushtarake, u takuan me veteranë dhe bënë homazhe në varret e revolucionarëve të gjeneratës së parë. Gjatë ceremonisë, lideri koreano-verior përsëriti pretendimin e Phenianit se vendi arriti një “fitore të madhe” në luftën e viteve 1950–1953.

Fotot dhe pamjet e publikuara nga mediat shtetërore e tregojnë Ju Ae duke ecur përkrah babait të saj, duke qëndruar në qendër të ceremonive dhe duke përshëndetur veteranët, një rol që analistët e shohin si një sinjal të qartë të rritjes së profilit të saj publik.

Edhe Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut konfirmoi se kjo ishte hera e parë që Ju Ae merrte pjesë në ceremonitë e përvjetorit të armëpushimit, si dhe vizitonte Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Çlirimtare të Atdheut dhe Varrezat e Dëshmorëve të Revolucionit.

Ndërkohë, Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) i Koresë së Jugut vlerëson, bazuar në informacione që i cilëson të besueshme, se Ju Ae është shfaqur tashmë si pasardhësja më e mundshme e Kim Jong-un. Ky vlerësim mbështetet në paraqitjet e saj gjithnjë e më të shpeshta dhe të spikatura në aktivitetet shtetërore dhe në mediat zyrtare të Koresë së Veriut.

Në kuadër të ceremonive, Kim Jong-un vizitoi edhe varrezat e ushtarëve vullnetarë kinezë dhe bëri homazhe në varrin e Mao Anying, djalit të Mao Ce Dunit. Sipas KCNA, ky gjest shihet si një tjetër sinjal i forcimit të marrëdhënieve mes Phenianit dhe Pekinit, në një periudhë kur të dy vendet po intensifikojnë bashkëpunimin politik dhe diplomatik.

Top Channel