Reforma Zgjedhore, KQZ: Kodi të parashikojë ndarjen ndërmjet shtetit dhe partisë në pushtet/ Gjiknuri: Paketë ligjore brenda vitit. Bylykbashi: Asgjë nuk zbatohet

28/07/2026 19:36

Politika është ulur të shkruajë rregullat e reja të lojës për zgjedhjet.

Komisioneri Ilirjan Celibashi kërkoi që kodi i ri zgjedhor të vendosë kufij të qartë në mënyrë që burimet shtetërore të mos përdoren për qëllime elektorale.

‘Kodi duhet të parashikojë shprehimisht parimin e ndarjes ndërmjet shtetit dhe partisë në pushtet, si një standard i administrimit zgjedhor dhe jo si një parim politik. Në shumë vende të OSBE-së, ky është një parim me vlerë kushtetuese ose ligjore. Ka nevojë për një filozofi të re rregullatore. Kjo filozofi duhet të mbështetet në tre parime themelore. Ligji duhet të jetë i qartë. Kompetencat mbikëqyrëse duhet të jenë efektive dhe, përgjegjësia duhet të jetë reale dhe proporcionale’, tha Komisioneri Celibashi.

Vendosja e balancës mes shtetit dhe partisë në pushtet për mazhorancën është një ekuacion i vështirë, por jo i pamundur.

Ndërkohë Damian Gjiknuri theksoi:

“Si të arrijmë një balancë të drejtë mes nevojës për të qeverisur, por njëkohësisht edhe të mos krijojmë avantazhe të padrejta. Është një balancë nganjëherë e vështirë, sepse nuk besoj se ndonjë zgjidhje absolute jep rezultat në dobi të zgjedhjeve. Të vijmë me paketë ligjore brenda këtij viti”.

Në prani të eksperteve ndërkombëtar opozita i shpalli lufte patronazhistëve dhe kërkoj sanksionim të shkelësve te ligjit.

Oerd Bykykbashi tha: “Kemi edhe akte rregullatore, por në fund numri i ankesave nuk korrespondon me numrin e sanksioneve. Nuk mund të vazhdojmë ta bëjmë kornizën gjithnjë e më të rëndë, ndërkohë që, nga ana tjetër, asgjë nuk zbatohet”.

Në tryezën për parandalimin e keqpërdorimit të burimeve shtetërore përfaqësuesit e OSBE dhe BE bënë thirrje për dialog në mënyrë që palët të bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore për të garantuar një fushë te barabarte loje.

Top Channel