Zjarret masive vijojnë të përfshijnë Francën dhe Spanjën, duke detyruar qindra mijëra banorë të braktisin shtëpitë e tyre.
Deri tani, mbi 295 mijë persona janë evakuuar në të dy vendet, ndërsa mijëra zjarrfikës, të mbështetur nga avionë dhe helikopterë, vijojnë betejën me flakët që po favorizohen nga temperaturat ekstreme, thatësira dhe erërat e forta. Situata më e rëndë mbetet në jugperëndim të Francës, ku zjarri në rajonin Gironde ka avancuar deri në rreth 15 kilometra nga Bordeaux.
Rreth 220 mijë persona janë evakuuar, ndërsa qindra banesa janë shkatërruar. Presidenti Emmanuel Macron ka mbledhur qeverinë në një takim emergjent, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se temperaturat pritet të arrijnë deri në 37 gradë Celsius, duke rritur rrezikun për përhapjen e mëtejshme të flakëve Edhe Spanja vazhdon të përballet me një situatë kritike.
Mbi 75 mijë persona janë evakuuar dhe rreth 30 mijë të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë në banesa. Vatrat më të mëdha ndodhen pranë Madridit dhe në rajonin e Valencias, ndërsa zjarri në provincën Ávila ka djegur më shumë se 50 mijë hektarë, duke u konsideruar një nga më të mëdhenjtë në historinë e vendit. Përballë përmasave të krizës, qeveria spanjolle ka shpallur emergjencën kombëtare dhe ka aktivizuar ndihmën europiane.
Ndërkohë, ndërsa zjarret vazhdojnë të përhapen, Franca po përballet edhe me një tjetër fenomen ekstrem. Reshje të rrëmbyeshme kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit, duke përmbytur rrugë, banesa dhe biznese, ndërsa ekipet e emergjencës janë angazhuar në dhjetëra ndërhyrje për evakuimin e banorëve dhe rikthimin e normalitetit. Autoritetet paralajmërojnë se moti i paqëndrueshëm mund të vazhdojë edhe në orët në vijim.
Top Channel