Sulmet me dronë të Ukrainës në jug të Rusisë lanë të paktën pesë viktima dhe dhjetëra të plagosur. Ndërkohë, bombardimet ruse vijuan edhe në Ukrainë, ku humbi jetën një civil në Zaporizhia dhe disa të tjerë u plagosën në Sumy.
Të paktën pesë persona humbën jetën dhe rreth 17 të tjerë u plagosën si pasojë e sulmeve ajrore ukrainase në jug të Rusisë, njoftuan autoritetet rajonale ruse. Goditja më e rëndë u regjistrua në qytetin Rostov-on-Don, pranë Detit Azov, ku një dron goditi një ndërtesë banimi.
Fillimisht u raportua vdekja e një çifti, ndërsa më vonë ekipet e kërkim-shpëtimit nxorën nga rrënojat edhe trupat e tre viktimave të tjera, mes tyre një fëmijë. Guvernatori i rajonit të Rostovit bëri të ditur se pesë persona mbetën të plagosur, dy prej tyre në gjendje kritike. Rënia e mbetjeve të dronëve shkaktoi gjithashtu disa vatra zjarri në qytet.
Një tjetër sulm me dronë goditi qytetin Belgorod, ku u plagosën 12 persona, mes tyre dy fëmijë. Autoritetet thanë se sulmi shkaktoi edhe zjarr në një pallat banimi.
Ndërkohë, në Ukrainë, bombardimet ruse vazhduan në rajonin e Zaporizhias. Sipas autoriteteve lokale, një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën pas një sulmi me bombë ajrore të drejtuar dhe dronë.
Edhe rajoni verior i Sumyt u vu nën shënjestër të forcave ruse, ku persona u plagosën nga një bombë ajrore e drejtuar.
Top Channel