Rihapet Kapshtica pas grevës në doganën greke, nis kalimi i mjeteve pas radhëve të gjata

27/07/2026 09:30

Ka rinisur lëvizja në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës pas përfundimit të pezullimit të njoftuar nga autoritetet greke.

Dhjetëra automjete të vogla, autobusë dhe kamionë kishin krijuar radhë në anën shqiptare, në pritje të hapjes së pikës kufitare për të vijuar udhëtimin drejt Greqisë.

Menjëherë pas rifillimit të punës, autoritetet kufitare nisën procedurat e kalimit, me përparësi për mjetet e vogla dhe autobusët. Megjithatë, radha vijon të jetë e gjatë për shkak të fluksit të krijuar gjatë orëve kur qarkullimi ishte i bllokuar.

Bllokimi i përkohshëm erdhi si pasojë e grevës së punonjësve të doganës greke, të cilët kishin njoftuar se pika kufitare do të ishte e mbyllur nga ora 05:00 deri në orën 09:00 të mëngjesit të kësaj të hëne.

Pas përfundimit të grevës, shërbimi në Kapshticë është rikthyer normalisht, ndërsa autoritetet vijojnë punën për të përballuar fluksin e krijuar.

Top Channel