Autoritetet gjermane po përballen me kritika të forta pasi autori i dyshuar i sulmit pranë Paradës së Krenarisë në Berlin ishte dënuar vetëm pak muaj më parë për përgatitje aktesh terroriste, por kishte shmangur burgun.
Autoritetet gjermane janë vënë nën presion për mënyrën se si trajtuan rastin e 21-vjeçarit Abdul Ballout, i dyshuar për sulmin e përgjakshëm pranë Paradës së Krenarisë në Berlin, ku humbi jetën një grua dhe u plagosën 29 persona. Sipas hetimeve, Ballout dyshohet se përplasi fillimisht turmën me një furgon të marrë me qira pranë parkut Tiergarten dhe më pas sulmoi kalimtarët me një hanxhar.
21-vjeçari ishte dënuar në muajin maj me një vit e dhjetë muaj burg për përgatitjen e një akti të rëndë dhune me prapavijë terroriste. Megjithatë, gjykata vendosi pezullimin e dënimit, duke marrë parasysh periudhën që ai kishte kaluar në paraburgim në Liban dhe Gjermani, si edhe deklarimet e tij se ishte distancuar nga organizata terroriste ISIS.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta politike. Kryetari i komisionit parlamentar që mbikëqyr shërbimet sekrete kërkoi masa më të ashpra ndaj ekstremistëve, duke theksuar se siguria e qytetarëve duhet të ketë përparësi.
Edhe kreu i Shoqatës së Policëve Gjermanë akuzoi sistemin e drejtësisë për tolerancë të tepruar, ndërsa ministri i Brendshëm i Bavarisë e cilësoi pezullimin e dënimit si një vendim “katastrofik”, duke theksuar se gjyqtarët duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që mbajnë ndaj sigurisë publike.
Top Channel