Zjarret gjunjëzojnë Francën, mbi 220 mijë persona evakuohen pranë Bordeaux
Andrea Pirlo, trajneri i përfolur për të marrë drejtimin e Kombëtares së Italisë, është përballur me një tjetër diskutim publik, këtë herë për një pretendim të mundshëm për konflikt interesi që lidhet me djemtë e tij dhe të Paolo Maldinit.
Debati riktheu në vëmendje rastin e vitit 2016, kur Marcello Lippi u detyrua të hiqte dorë nga roli i drejtorit teknik të Kombëtares italiane për shkak të profesionit të djalit të tij, Davide Lippi, i cili ishte agjent futbolli.
Por sipas situatës aktuale, rastet e Pirlos dhe Maldinit nuk konsiderohen të njëjta.
Nicolò Pirlo, djali i Andrea Pirlos, i lindur në vitin 2003, punon prej vitit të kaluar në zyrën milaneze të kompanisë You First/Garsh Sports, një agjenci që menaxhon interesat e shumë futbollistëve. Ai merret me detyra që lidhen me ndërmjetësimin dhe skautingun.
Edhe Christian Maldini, djali 30-vjeçar i Paolo Maldinit, bashkëpunon me agjencinë e Beppe Riso, një prej menaxherëve të njohur në futbollin italian, e cila përfaqëson shumë lojtarë të lidhur me Kombëtaren italiane.
Megjithatë, ndryshimi kryesor është se as Nicolò Pirlo dhe as Christian Maldini nuk janë agjentë të licencuar futbolli. Ata nuk kanë dhënë provimin për autorizimin e profesionit dhe nuk figurojnë në Regjistrin Kombëtar të Agjentëve Sportivë.
Ndryshe ishte situata me Davide Lippin. Në kohën kur babai i tij ishte pjesë e strukturave të Kombëtares, ai ishte një agjent i afirmuar, ushtronte profesionin prej vitesh dhe ishte i regjistruar zyrtarisht.
Pikërisht për shkak të rregullave të Federatës Italiane të Futbollit mbi konfliktin e interesit dhe papajtueshmërinë mes roleve drejtuese në federatë dhe familjarëve që ushtrojnë profesionin e agjentit, Lippi vendosi të largohej nga posti.
Në rastin e Pirlos dhe Maldinit, situata është ndryshe, por çështja mund të kërkojë sqarime në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Federal të futbollit italian.
Top Channel