Juventus pranë rikthimit të sulmuesit Kolo Muani, marrëveshja me PSG-në drejt finalizimit

26/07/2026 11:21

Juventus ka përshpejtuar negociatat për rikthimin e Randal Kolo Muani në Torino. Pas një pune të gjatë negociuese nga drejtuesit bardhezinj, raportimet nga Italia bëjnë me dije se marrëveshja me Paris Saint-Germain është pranë mbylljes.

Klubi italian është gati të investojë rreth 40 milionë euro për sulmuesin francez. Në negociata, Juventus ka përfshirë edhe bonuse si dhe një përqindje për rishitjen e ardhshme të lojtarit, elementë që mund të kenë ndihmuar në afrimin e palëve.

Ndërkohë, Juventus ka vendosur të ndahet me Lois Opendën pas vetëm një sezoni. Sulmuesi belg do të rikthehet në Ligue 1 te Lyon, në një marrëveshje huazimi me pagesë prej 3 milionë eurosh. Largimin e tij e konfirmoi edhe trajneri Luciano Spalletti, i cili i uroi sukses lojtarit.

Në rast se largohet edhe Jonathan David, bardhezinjtë mund të rikthehen te një objektiv i vjetër, Joshua Zirkzee. Sulmuesi i Manchester United ka humbur hapësira në ekip dhe shihet si një alternativë e mundshme për repartin ofensiv, por gjithçka do të varet nga kërkesat e klubit anglez dhe mundësitë financiare të Juventusit.

Paralelisht, drejtuesit e klubit po punojnë edhe për mbrojtjen. Juventus ka intensifikuar kontaktet me Fiorentinën për shitjen e Joao Marios, i cili nuk bën pjesë në planet e Spallettit. Klubi vjollcë ka propozuar huazim me të drejtë blerjeje për rreth 8-9 milionë euro dhe marrëveshja mund të mbyllet shpejt.

Për repartin e mbrojtjes, objektivi kryesor mbetet Jhon Lucumì i Bolognës. Mbrojtësi kolumbian kërkohet edhe nga Galatasaray, por Juventus po ndjek nga afër situatën. Bologna kërkon rreth 25 milionë euro, ndërsa turqit janë gati të ofrojnë 21-22 milionë euro. Vetë lojtari, sipas raportimeve, preferon një transferim te Juventus, por operacioni ende duhet të konkretizohet.

Top Channel