Interi nuk fshihet, drejtori Ausilio konfirmon interesimin për Cristian Romero: Jemi në negociata

26/07/2026 08:23

Inter ka konfirmuar publikisht interesimin për mbrojtësin argjentinas Cristian Romero. Drejtori sportiv i zikaltërve, Piero Ausilio, pranoi se klubi po punon për transferimin e futbollistit të Tottenham.

“Ka padyshim një interesim që po e shfaqim si ndaj lojtarit, ashtu edhe ndaj klubit. Janë negociata që kërkojnë kohë, por interesi ekziston. Të shohim se si do të zhvillohen”, u shpreh Ausilio.

Sipas mediave italiane, Inter ka intensifikuar kontaktet me përfaqësuesit e lojtarit dhe me Tottenhamin, pasi e ka kthyer Romeron në objektivin kryesor për repartin e mbrojtjes.

Klubi zikaltër synon ta mbyllë marrëveshjen për rreth 40 milionë euro, ndërsa mbetet për t’u përcaktuar formula e transferimit. Një nga opsionet e diskutuar është një huazim me pagesë, i shoqëruar me të drejtë ose detyrim blerjeje, megjithëse ende nuk ka sinjale nëse Tottenham do ta pranojë këtë formulë.

Megjithatë, negociatat nuk pritet të jenë të lehta. Tottenham e vlerëson kartonin e Romero-s rreth 50 milionë euro, ndërsa mbrojtësi përfiton një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon.

Inter do të duhet të përballet edhe me konkurrencën e klubeve të tjera. Sipas raportimeve nga Anglia, në garë për argjentinasin janë futur edhe Arsenal, Atletico Madrid dhe Barcelona.

Romero konsiderohet profili ideal për të përforcuar mbrojtjen e Interit, pas largimit të Francesco Acerbi dhe Stefan de Vrij. Argjentinasi e njeh mirë Serie A, pasi më parë ka luajtur me Juventusin, Genoan dhe Atalantën.

Top Channel