Elektricisti humbi jetën pasi ra në kontakt me rrymën elektrike në Pogradec, flet banori i zonës: Punonte dhe në ditët e pushimit

26/07/2026 11:49

Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar këtë të diel në fshatin Zërvaskë të Pogradecit, ku humbi jetën një elektricist gjatë punës.

Sipas informacioneve paraprake dhe dëshmive të banorëve, jashtë kamerave, 60-vjeçari Agim Beqiri kishte konstatuar defektin në linjën e ndriçimit një ditë më parë dhe ishte rikthyer këtë mëngjes për ta riparuar.

Dyshohet se në shtyllën elektrike kishte dy linja tensioni. Sipas të njëjtave burime, ai kishte çaktivizuar vetëm njërën prej tyre, ndërsa tjetra kishte mbetur aktive. Gjatë punës, elektriçisti dyshohet se ra në kontakt me linjën nën tension, duke humbur jetën.

Mësohet se trupi i tij ka qëndruar për disa minuta në shtyllë, i lidhur me pajisjet e sigurisë, derisa shërbimet përkatëse bënë të mundur zbritjen e tij.

Prej vitesh, Agim Beqiri punonte si elektriçist në Bashkinë e Pogradecit, ku ishte i angazhuar me mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit rrugor në fshatrat e zonës.

Banorët e përshkruajnë atë si një njeri korrekt dhe të përkushtuar në punë.

Punonte prej shumë kohësh në komunë. Ishte një burrë shumë i mirë, i rregullt e i sinqertë. Mbrëmë konstatoi defektin dhe sot erdhi ta rregullonte. Na ka ardhur shumë keq. U rrofshin fëmijët“, shprehet një banor.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Top Channel