Shiste ora luksoze dhe bizhuteri floriri të dyshuara të vjedhura, arrestohet pronari i një argjendarie në Lezhë. Sekuestrohen sende me vlerë rreth 300 mijë euro

24/07/2026 15:48
foto ilustruese

Një 39-vjeçar është arrestuar në Lezhë, pasi dyshohet se shiste në argjendarinë e tij bizhuteri floriri dhe ora dore të markave luksoze, të vjedhura jashtë shtetit dhe të futura në Shqipëri në mënyrë të kundërligjshme.

Gjatë operacionit policor të koduar “Final O’clock”, u sekuestruan sende me vlerë rreth 300 mijë euro, si dhe para të dyshuara të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Sipas Policisë së Lezhës, në pranga ra shtetasi me iniciale A. M., 39 vjeç, banues në Lezhë. Hetimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë, zbuluan se ai tregtonte në argjendarinë e tij bizhuteri dhe ora luksoze, të cilat dyshohet se ishin kontrabanduar në vend pasi ishin vjedhur jashtë Shqipërisë.

Gjatë kontrollit në ambientet e biznesit, efektivët sekuestruan 133 ora dore të markave luksoze, të cilat nuk dispononin dokumentacion që të provonte origjinën e tyre, si dhe bizhuteri floriri me peshë rreth 3.3 kilogramë, pa faturat përkatëse të blerjes.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan gjithashtu rreth 270 500 lekë dhe 2 700 euro, shuma që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë bashkëpunuar me 39-vjeçarin.

Top Channel