“Zyrtarisht i Barcelonës”, Karim Adeyemi: Messi është lojtari më i mirë që kam parë ndonjëherë, mezi pres të luaj me Yamal

23/07/2026 16:24

Karim Adeyemi ka lënë një përshtypje shumë pozitive në orët e para si futbollist i ri i Barcelonës. Sulmuesi 24-vjeçar është pritur ngrohtësisht në klub, ndërsa në prezantimin e tij të parë para mediave u shfaq i qetë, i sigurt dhe plot entuziazëm për aventurën e re në “Camp Nou”.

Duke folur në anglisht, Adeyemi pranoi se synon të mësojë sa më shpejt gjuhën spanjolle.

“Do të më duhet të mësoj spanjishten, por nuk besoj se do ta kem të vështirë, sepse gjuhët më shkojnë mirë,” u shpreh ai.

I pyetur për idhujt e tij te Barcelona, sulmuesi gjerman nuk hezitoi të veçonte Lionel Messin.

“Lojtari më i mirë që kam parë ndonjëherë është Messi. Për mua ka qenë gjithmonë Messi. Gjithashtu ishte kënaqësi të shihje Ronaldinhon në fushë, si dhe shumë futbollistë të tjerë të mëdhenj që kanë veshur fanellën e Barcelonës.”

Adeyemi foli edhe për bashkëpunimin që pret të krijojë me talentin e ri të skuadrës, Lamine Yamal.

“Nuk e njoh ende personalisht, por në fushë ai flet me paraqitjet e tij. Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe i ka të gjitha cilësitë për të luajtur futboll në nivelin më të lartë. Besoj se mund të kemi një lidhje shumë të mirë në fushë. Ai shënon gola, driblon dhe krijon shumë raste për shokët e skuadrës. Unë jam një lojtar që futet nga prapa dhe përfiton nga pasimet e bashkëlojtarëve, ndaj mendoj se mund të funksionojmë shumë mirë së bashku. Dua të krijoj një lidhje të fortë me të dhe me gjithë ekipin.”

Në fund, 24-vjeçari tregoi edhe reagimin e tij kur mori vesh për interesimin e Barcelonës.

“Nuk mund ta besoja, sepse e di që sezoni im i fundit nuk ishte më i miri. Jam shumë mirënjohës për këtë mundësi. Hansi Flick ishte një nga arsyet kryesore pse vendosa të vij këtu. Ai më tha se më donte në ekip, por se duhej të jepja maksimumin. Kjo më bëri shumë përshtypje dhe është një nder i madh të jem pjesë e Barcelonës.”

Top Channel