Moti i keq që ka përfshirë Kosovën gjatë 48 orëve të fundit ka shkaktuar dëme të mëdha në Komunën e Mamushës, zonën ku ndodhen mbi 80% e serave të vendit dhe prodhohet pjesa më e madhe e perimeve.
Era e fortë dhe breshëri kanë shkatërruar dhjetëra sera, duke lënë pas humbje të konsiderueshme për fermerët. Autoritetet komunale kanë nisur evidentimin e dëmeve, ndërsa kryetari i Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniçi, tha se situata po vlerësohet në terren.
Fermerët shprehen se dëmet janë të mëdha dhe se investimet e tyre shumëvjeçare janë shkatërruar brenda pak minutash. Për familjet që jetojnë nga bujqësia, serat përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave, ndaj dëmtimi i tyre rrezikon edhe vazhdimësinë e prodhimit.
Ata i kanë bërë thirrje Komunës së Mamushës dhe Qeverisë së Kosovës të ndërhyjnë me mbështetje financiare për kompensimin e dëmeve dhe rikthimin sa më të shpejtë të aktivitetit bujqësor.
Pas përfundimit të verifikimeve në terren, autoritetet pritet të publikojnë edhe vlerësimin zyrtar të dëmeve të shkaktuara nga moti i keq.
Top Channel