Kompania Bankers Petrolium nuk i ka paguar qiranë e tokës, dhjetëra banorë të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë në protestë

22/07/2026 11:00

Dhjetëra banorë të fshatrave të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë, kanë protestuar paraditen e sotme përballë zyrave të kompanisë Bankers Petroleum për mospagesën e qirasë së tokës.

Ata pohojnë të indinjuar se rreth 800 banorë të fshatrave Marinzë, Belinë, Sheqishte, Zharrëz, Kallm, Frashër, Kuman, që prej fillim-vitit 2026 nuk janë paguar për qiranë vjetore të tokës e cila është në shfrytëzim nga kompania për rrugë, parkingje, sheshe e puse nafte, të cilat shfrytëzohen nga kompania që nga viti 2010.

Banorët kërkojnë njëzëri respektimin e kontratës sipas ligjit dhe kundërshtojnë ndryshimin e kontratës nga një vjetore në dyvjetore dhe përgjysmimin e çmimit të qirasë.

Banorët pohojnë gjithashtu se nëse kërkesat e tyre nuk do të merren parasysh do té kërkojnë rikthimin e tokave në gjendjen e mëparshme dhe përshkallëzimin e protestës.

Për banorët e zonës naftëmbajtëse qiraja vjetore e tokave mbetet një ndër burimet kryesore të të ardhurave të tyre.

Top Channel